Zyrtarë të lartë të administratës së Trumpit i kërkuan Izraelit të godiste drejtuesit e Hezbollahut gjatë funeralit të Hassan Nasrallahut fundjavën e kaluar në Bejrut.
Një zyrtar i lartë i administratës së Donald Trumpit i dërgoi një mesazh ushtrisë izraelite përpara funeralit të liderit të Hezbollahut, Sayyed Hassan Nasrallah dhe Sayyed Hashem Safieddine, duke deklaruar se Uashingtoni jo vetëm që jep dritën jeshile për një sulm ndaj zyrtarëve të lartë të Hezbollahut gjatë procesionit mortor, por një lëvizje e tillë do të ishte e mirëpritur.
Sipas raportimit të Kanalit 14 izraelit, nuk është e qartë nëse mesazhi është dërguar drejtpërdrejt në emër të presidentit Donald Trump, por thuhet se ai është përcjellë nga një figurë relativisht e njohur dhe e rëndësishme brenda administratës, duke treguar një nivel të caktuar mbështetjeje nga Uashingtoni.
Pavarësisht presionit nga SHBA, autoritetet izraelite vendosën të mos kryejnë një sulm, por u kufizuan në fluturime të ulëta mbi procesionin mortor dhe zonat e Bejrutit. Vendimi për të mos sulmuar u mor për shkak të frikës nga hapja e frontit verior, pasi konfliktet në jug të Libanit mbeten ende të mundshme.
Sipas raportit, zyrtarët e lartë të administratës Trump kishin lobuar fuqishëm për një sulm ndaj drejtuesve të Hezbollahut gjatë funeralit në Bejrut, por Izraeli e refuzoi këtë propozim, duke pasur frikë nga një përshkallëzim i konfliktit në Liban, në një kohë kur ushtria izraelite po përgatitet për vazhdimin e operacioneve në Gaza.