Madhësia e mundshme e kontingjentit ushtarak që Evropa mund të dërgojë në Ukrainë për të mbikëqyrur një armëpushim të mundshëm vlerësohet të jetë nga 25,000 deri në 30,000 ushtarë.
Sipas raportimeve të The Washington Post, trupat evropiane “nuk do të stacionohen përgjatë vijës së kontaktit, por do të jenë të gatshme si një demonstrim force nëse forcat ruse përpiqen të rinisin luftën”.
Franca ka kryer planifikimin më të detajuar ushtarak për një mision të tillë dhe vlerësohet se mund të kontribuojë me rreth 10,000 trupa.
Numri i mundshëm i ushtarëve është zbuluar në përgjigje të një kërkese të SHBA-së, ku vendet evropiane janë ftuar të deklarojnë aftësitë e tyre për të mbështetur Kievin.
Ky numër forcash do të mbështetej nga trupa rezervë për përkrahje, të cilat do të përforcoheshin nga shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s.
Ndërkohë, kryeministri britanik Keir Starmer ka deklaruar se është i gatshëm të dërgojë trupa britanike në Ukrainë për misione paqeruajtëse. Gjithashtu, këtë iniciativë e ka mbështetur edhe kryeministri suedez Ulf Kristersson.