“21 nga të plagosurit janë në gjendje kritike”, tha Ministria izraelite e Shëndetësisë
Numri i izraelitëve të plagosur që nga shpërthimi i konfliktit me Iranin ka arritur në 2.517, sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Ministria izraelite e Shëndetësisë, transmeton Anadolu.
Shifrat përfshijnë 21 persona të plagosur në gjendje kritike, 103 në gjendje të moderuar, 2.248 me lëndime të lehta dhe 107 që vuajnë nga sulme paniku. Sipas të dhënave zyrtare, spitalet pranuan 54 të plagosur tjerë gjatë natës dhe të premten në mëngjes.
Ministria e Shëndetësisë shtoi se shumica e të plagosurve lehtë u lënduan ndërsa kërkonin strehim dhe kërkuan ndihmë psikologjike. Që nga mëngjesi i së premtes, 132 persona mbeten të shtruar në spital, ndërsa 55 ende po trajtohen në dhomat e urgjencës. Shumica e të lënduarve më parë janë liruar.
Megjithatë, vëzhguesit thanë se humbjet izraelite janë më të larta se sa janë raportuar, duke patur parasysh censurën e rreptë të vendosur nga Tel Avivi për publikimin e çdo informacioni në lidhje me vendet e goditjeve të raketave iraniane ose pasojat e tyre, gjë që sugjeron se shifrat ka të ngjarë të rriten.
Armiqësitë shpërthyen të premten e kaluar kur Izraeli nisi sulme ajrore në disa vende në të gjithë Iranin, përfshirë objekte ushtarake dhe bërthamore, duke e shtyrë Teheranin të nisë sulme hakmarrëse.
Autoritetet izraelite thanë se të paktën 25 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur në sulmet me raketa iraniane që atëherë. Ndërkohë, në Iran, 639 persona janë vrarë dhe më shumë se 1.300 janë plagosur në sulmin izraelit, sipas mediave iraniane.