Marina izraelite sulmon portin jemenas Hodeidah

Marina izraelite ka kryer sulme ndaj portit jemenas Hodeidah në Detin e Kuq, njoftoi të martën radioja ushtarake izraelite, në kuadër të një fushate të vazhdueshme ushtarake që zakonisht përfshin sulme ajrore.

Televizioni Huthi Al Masirah njoftoi se Izraeli goditi doket e portit Hodeidah me dy sulme. Nuk ka pasur raportime të menjëhershme për viktima, raporton Reuters.

Sulmet erdhën pasi ushtria izraelite të hënën bëri thirrje për evakuimin e porteve Ras Isa, Hodeidah dhe Salif, të cilat kontrollohen nga rebelët Huthi.

Që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor 2023, Huthit — rebelë dhe aleatë të Iranit — kanë qëlluar drejt Izraelit dhe ndaj anijeve në Detin e Kuq, duke i cilësuar këto veprime si akte solidariteti me palestinezët.

Shumica e dhjetëra raketave dhe dronëve të lëshuar ndaj Izraelit janë kapur në ajër ose nuk kanë arritur objektivat e tyre, pas së cilës Izraeli ka ndërmarrë një sërë sulmesh hakmarrëse.

Sipas pretendimeve izraelite, ata kanë dobësuar ndjeshëm aleatët e tjerë të Iranit në rajon – Hezbollahun libanez dhe grupin militant palestinez Hamas. Megjithatë, Huthit, të cilët mbështeten nga Teherani, si edhe grupet e armatosura pro-iraniane në Irak, mbeten ende të fuqishme.

Kategoritë
BotaLajme