Marco Rubio mbledh punonjësit e USAID-it: “Ndihma e huaj është gjëja më pak e pëlqyer ku qeveria shpenzon para”

Sekretari i ri i Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, mbajti një fjalim në Ambasadën Amerikane në Guatemalë, ku u ndal veçanërisht te mbyllja e USAID-it dhe bashkimi i tij me Departamentin e Shtetit.

Në një transkript që ka siguruar New York Times, Rubio u tha të pranishmëve se ndihma e huaj është gjëja më pak popullore ku qeveria shpenzon para dhe se është bërë gjithnjë e më e vështirë për ta mbrojtur atë.

Megjithëse mbështeti vendimin e Trumpit për mbylljen (përkohësisht) të kësaj organizate, Rubio tha se e kupton pozicionin e punonjësve.

“E di që është e vështirë të kërkosh durim. E di që është e vështirë të kërkosh edhe besim, sepse nuk më keni takuar kurrë më parë. Nuk kam qenë asnjëherë më parë në krye të Departamentit të Shtetit dhe nuk kam qenë më parë në detyrën e drejtorit të përkohshëm të USAID-it,” tha Rubio për punonjësit.

Një nga punonjësit e USAID-it në Guatemalë deklaroi se Rubio erdhi në krye të agjencisë në një moment të ndërlikuar dhe se organizata ka marrë shumë kritika për shërbimin ndaj interesave të SHBA-së.

“Siç e dini, tani po përballemi me mundësinë e largimit nga puna,” tha punonjësi.

Në përgjigje të kësaj, Rubio deklaroi se programet e agjencisë në Guatemalë duken të vlefshme, por shtoi se nuk është kështu kudo.

Për këtë arsye, ai përsëriti qëndrimin e tij se programet e USAID-it duhet të përshtaten më mirë me interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së.

“Desha t’ju them se kjo nuk ka të bëjë me politikën. Ndihma e huaj është gjëja më pak e pëlqyer ku qeveria shpenzon para. Kam kaluar shumë kohë gjatë karrierës sime duke e shpjeguar këtë. Është bërë gjithnjë e më e vështirë ta bëj. Vërtet është. Megjithatë, për ne që jemi të ngarkuar me çështjet e politikës së jashtme, e kuptojmë se kjo është thelbësore,” tha ai.

Rubio theksoi gjithashtu se Amerika nuk do të heqë dorë nga ndihma e huaj.

“Por këto duhet të jenë programe që mund t’i mbrojmë. Duhet të jenë programe që mund t’i shpjegojmë dhe t’i justifikojmë,” përfundoi ai.

Kategoritë
BotaLajme