Bëhet fjalë për tetë persona, katër fëmijë dhe katër të rritur, të cilët, si pjesë e një transporti më të madh të organizuar, lanë territorin e Izraelit dhe u nisën për në Egjipt, nga ku u transportuan në Shkup me një aeroplan qeveritar.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Maqedonisë së Veriut informoi se grupi i parë i qytetarëve maqedonas që kërkuan evakuim nga territori i Izraelit kanë mbërritur mbrëmë në mënyrë të sigurt në Aeroportin e Shkupit, transmeton Anadolu.
Në një njoftim nga ministria u bë e ditur se bëhet fjalë për tetë persona, katër fëmijë dhe katër të rritur, të cilët, si pjesë e një transporti më të madh të organizuar, lanë territorin e Izraelit dhe u nisën për në Egjipt, nga ku u transportuan në Shkup me një aeroplan qeveritar.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, duke informuar për procesin e evakuimit të përfunduar me sukses përmes rrjeteve sociale, theksoi se me këtë operacion, Maqedonia e Veriut është ndër të parat në Evropë që organizon dhe zbaton kthimin e sigurt të qytetarëve të saj nga zona e konfliktit në Lindjen e Mesme.
Ministria tha se nëpërmjet përfaqësisë diplomatiko-konsullore në Tel Aviv, mbetet në komunikim të vazhdueshëm me shtetasit e mbetur të vendit që ndodhen në territorin e Izraelit.
Autoritetet më parë u bënë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet në Iran dhe Izrael.