Maqedoni e Veriut, tensione në protestën për rastin “Monstra”

Menjëherë pas leximit të deklaratës nga ana e organizatorëve, disa protestues filluan të gjuajnë vezë, gurë dhe gjësende tjera drejt forcave policore, ndërsa në disa raste erdhi edhe deri te konfrontimi fizik

Në protestat e mbajtura në Shkup kundër vendimit gjyqësor për rastin “Monstra” u tensionua situata, ku protestuesit në disa raste u përplasën me forcat e policisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Protestuesit që kishin nisur marshimin nga parku i Çairit me qëllim të arrinin para objektit të qeverisë së vendit, u ndaluan nga kordoni i forcave policore që ishte vendosur para Qendrës Tregtare “Mavrovasja”, ku dhe ndodhën përleshjet midis protestuesve dhe forcave policore.

Bedri Hajdari, familjar i të dënuarve në rastin “Monstra”, u bëri thirrje zyrtarëve policorë që të mos ndalojnë marshimin e protestuesve, ndërsa në deklaratën e tij theksoi se të dënuarit në këtë rast janë të pafajshëm.

Menjëherë pas leximit të deklaratës, disa protestues filluan të gjuajnë vezë, gurë dhe gjësende të tjera të forta drejt forcave policore, ndërsa në disa raste erdhi edhe deri te konfrontimi fizik.

Gjatë intervenimit në përpjekje për t’i shpërndarë protestuesit, forcat policore përdorën edhe shok-bomba.

Organizatorët e protestës u munduan të ndalonin përshkallëzimin e situatës dhe kërkonin që protestuesit të qëndronin të qetë.

Pas konfrontimit në disa raste me policinë, protestuesit u shpërndanë.

Rasti “Monstra”

Gjykata Penale në Shkup më 23 shkurt ka shpallur 3 dënime të përjetshme në rastin “Monstra” për veprën penale “terrorizëm”, dënime me burg prej 15 respektivisht 9 vjetësh për vepra penale “ndihmë autorit të një vepre penale”, ndërsa liroi njërin nga të akuzuarit.

Gjyqi për rastin “Monstra” filloi më 20 dhjetor 2012, me akuzën për vrasjen e 5 personave më 12 prill 2012 afër Liqenit të Smillkovës.

Në qershor të vitit 2014, gjashtë të akuzuar u dënuan me burgim të përjetshëm, kurse një person u lirua.

Më 24 nëntor 2017, Gjykata e Lartë vendosi që rasti “Monstra” të rihapet dhe të dënuarit të lirohen nga burgu nën masën e kujdesit.

Situata e pakonfirmuar faktike si dhe ekzistenca e mundshme e bisedave të përgjuara që mund të ndryshonin rrjedhën e procedurave, ishin arsyet e kërkesës së Prokurorisë për Gjykatën e Lartë për të marrë vendim për rihapjen e rastit.

Kategoritë
LajmeRajoni