Kryetari i New Yorkut, Zohran Mamdani, deklaroi se administrata e tij po shqyrton mundësitë ligjore për arrestimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, nëse ai në shtator udhëton për në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që mbahet në këtë qytet.
Ky veprim bazohet në urdhërarrestin e lëshuar në nëntor të vitit 2024 nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJPN), për shkak të akuzave për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza, përfshirë përdorimin e urisë dhe përndjekjen.
Mamdani theksoi se është në bisedime aktive me departamentin ligjor të qytetit, për të përcaktuar nëse ka kompetencë që t’i urdhërojë Policisë së New Yorkut (NYPD) ndalimin e një lideri të huaj.
“Besoj se vendi i kryeministrit Netanyahu është në Hagë. Çfarëdo që ligji më lejon të bëj në New York, do ta bëjmë, por nuk do të shkruajmë ligje tona vetëm për këtë qëllim”, deklaroi Mamdani.
Ai shtoi se veprimet e kryeministrit izraelit kanë shkaktuar dëme të pariparueshme.
Ekspertët juridikë vlerësojnë se arrestimi është “praktikisht i pamundur”, pasi një veprim i tillë do ta fuste kryetarin e qytetit në një konflikt të drejtpërdrejtë juridik dhe politik me qeverinë federale të SHBA-së.
Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara nuk janë anëtare të GJPN-së dhe zyrtarisht nuk e njohin autoritetin e saj mbi qytetarët dhe aleatët e tyre.
Netanyahu i hodhi poshtë këto kërcënime, duke deklaruar se nuk është i shqetësuar. Megjithatë, ai e shfrytëzoi rastin për ta akuzuar Mamdanin se mbështet Hamasin.









