Qeveria e Malit të Zi synon të hyjë në bashkëpunim me një kompani amerikane për të nisur prodhimin e mjeteve ajrore pa pilot, ndërsa seria e parë e prodhuar do t’i dhurohet Ukrainës. Këtë informacion sot e transmetojnë mediat malazeze, duke iu referuar një “letre qëllimi” e cila është miratuar në fund të majit në Podgoricë.
Sipas Radios Evropa e Lirë, në dokument thuhet se projekti do të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve ushtarake të Malit të Zi brenda aleancës së NATO-s, do të ndihmojë Ukrainën në nevojat e saj mbrojtëse, si dhe do të forcojë pozitën ndërkombëtare të Malit të Zi si një partner i besueshëm në fushën e pajisjeve moderne ushtarake.
Marrëveshja e planifikuar, e cila kap vlerën e 15 milionë dollarëve, mbështetet edhe nga administrata amerikane e udhëhequr nga presidenti Donald Trump. Letra e qëllimit, e miratuar nga Qeveria e Malit të Zi më 29 maj, pritet të nënshkruhet nga ministri i zhvillimit ekonomik, Nik Gjeloshaj, dhe drejtori i kompanisë “By Light Professional IT Services LLC”, Robert J. Donahue. Ky dokument përfaqëson një hap drejt kontratës përfundimtare, nënshkrimi i së cilës është planifikuar për shtator.
Mbështetja amerikane për këtë iniciativë
Marrëveshja parasheh gjithashtu përfshirjen e kompanive nga Mali i Zi dhe rajoni më i gjerë në testimin e sistemeve pa pilot – si atyre ajrore ashtu edhe atyre nënujore. Qeveria ka shprehur gatishmërinë për t’ia dorëzuar Ukrainës serinë e parë të modeleve të hershme të dronëve dhe pajisjeve shoqëruese ushtarake.
Nga Ambasada e SHBA-së në Mal të Zi është bërë e ditur se miratimi i kësaj marrëveshjeje do të kontribuonte më tej në sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin e përbashkët, dhe se Uashingtoni i inkurajon të gjithë partnerët e tij që të investojnë në industrinë e mbrojtjes dhe të bashkëpunojnë me kompanitë amerikane.
“Mali i Zi me këtë tregon seriozitet në përmbushjen e detyrimeve ndaj NATO-s, veçanërisht tani kur pritet që aleatët evropianë të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre, përfshirë edhe investimet në sistemet ajrore pa pilot të SHBA-së”, thuhet në deklaratën e ambasadës.
Kujtojmë se Mali i Zi është anëtare e NATO-s dhe, si të gjitha shtetet anëtare, ka për detyrë të ndajë të paktën dy për qind të PBB-së për sektorin e mbrojtjes. Megjithatë, ambasada amerikane thekson se pritshmëritë e SHBA-së janë shumë më të larta.
“Presidenti Trump e ka thënë qartë – në samitin e ardhshëm në Hagë pritet që të gjithë aleatët të zotohen për ndarjen e të paktën pesë për qind të PBB-së për mbrojtje”, thuhet në deklaratën e dërguar Radios Evropa e Lirë. Samiti i NATO-s është caktuar për fundin e këtij muaji në Hagë, dhe presidenti amerikan tashmë e ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij.