Makron dërgon paralajmërim për Kinën: Mbajeni Korenë e Veriut larg Ukrainës, përndryshe NATO-ja vjen në Azi

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, paralajmëroi Kinën se NATO mund të përfshihet më thellë në Azi nëse Pekini nuk ndërmerr hapa për të ndaluar angazhimin e Koresë së Veriut në luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

“Koreja e Veriut në Ukrainë është një çështje madhore për të gjithë ne. Nëse Kina nuk dëshiron që NATO të përfshihet në Azinë Juglindore, atëherë duhet ta ndalojë Korenë e Veriut të angazhohet në tokën evropiane,” deklaroi Macron të premten gjatë një fjalimi në një samit të madh të mbrojtjes në Singapor.

Franca prej kohësh ka mbrojtur qëndrimin se aleanca ushtarake transatlantike nuk duhet të zgjerojë ndikimin e saj në Azi, dhe në vitin 2023 udhëhoqi një fushatë për të bllokuar hapjen e një zyre të NATO-s në Japoni.

“I jam kundërpërgjigjur rolit të NATO-s në Azi sepse nuk besoj që duhet të përfshihemi në rivalitete strategjike të të tjerëve,” tha Macron, duke lënë të kuptohet se Parisi mund ta rishqyrtojë qëndrimin e vet.

Ushtarë nga Koreja e Veriut po mbështesin luftën e Kremlinit kundër Ukrainës në kuadër të një pakti ushtarak mes dy vendeve. Moska po përdor trupa nga Peniani për të shtyrë forcat ukrainase nga rajoni Kursk në jugperëndim të Rusisë, raporton Politico.

Fjalimi i Macronit vjen pas një turneu aziatik që nisi me tensione në jetën private dhe përfshiu vizita në Vietnam dhe Indonezi, ku Franca nënshkroi një sërë marrëveshjesh, përfshirë në fushën e mbrojtjes.

“Franca është e përkushtuar ndaj autonomisë strategjike dhe lirisë së sovranitetit. Ne mbrojmë këtë qasje si për Evropën, ashtu edhe për Indo-Paqësorin,” përfundoi Macron.

Kategoritë
BotaLajme