Turma u mblodh në Londër për të protestuar kundër planeve të sekretares së Brendshme britanike për të shpallur “Palestine Action” organizatë terroriste pasi grupi spërkati me bojë të kuqe motorët e dy avionëve ushtarakë në ditët e fundit
Qindra njerëz në Britani të Madhe protestuan kundër përpjekjes së qeverisë për të shpallur grupin “Palestine Action”, si organizatë e ndaluar që kryen protesta të drejtpërdrejta kundër kompanive që bëjnë biznes me Izraelin, raporton Anadolu.
Turma u mblodh në sheshin “Trafalgar” në qendër të kryeqytetit Londër për të protestuar kundër planeve të sekretares së Brendshme, Yvette Cooper për të shpallur “Palestine Action” organizatë terroriste pasi grupi spërkati me bojë të kuqe motorët e dy avionëve ushtarakë në ditët e fundit.
Protestuesit mbrojtën idenë se përfshirja e grupit në listën e organizatave të ndaluara do të ishte shkelje e të drejtës së tyre për të protestuar ndërsa brohoritën me slogane të tilla si “Palestine Action, na bën krenarë, mbyll një fabrikë tjetër Elbit” dhe “Kur njerëzit janë nën pushtim, rezistenca është legjitime”.
Gjatë protestës, ku policia metropolitane e Londrës mori masa të rrepta paraprake, shpërtheu një përleshje midis forcave të sigurisë dhe protestuesve kur policia tentoi të ndalonte disa protestues.
Si rezultat i përleshjes, protestuesit morën nga duart e policisë dy persona që ata po përpiqeshin t’i ndalonin. Policia e Londrës njoftoi se u ndaluan gjithsej tre persona. Policia e Londrës njoftoi se do të vendoste ndalimin e protestave përreth parlamentit që ishte njoftuar më parë si zonë proteste dhe se protestuesit këtu do të ndalohen.
Shefi i policisë së Londrës, Mark Rowley në një deklaratë me shkrim tha se mbështetja për “Palestine Action” të cilën ai e përshkroi si “organizatë ekstremiste të krimit të organizuar”, nuk mund të konsiderohej brenda fushëveprimit të së drejtës legjitime për të protestuar.
Ai tha se po bënin përgatitje për hapat që do të ndërmerrnin nëse grupi shpallej organizatë terroriste.
– Anëtarët e grupit hynë në një bazë ajrore dhe spërkatën me bojë të kuqe motorët e dy avionëve ushtarakë
Në pamjet e ndara në mëngjesin e 20 qershorit nga “Palestine Action” e cila organizon protesta kundër ndërtesave administrative dhe fabrikave të kompanive që bëjnë biznes me Izraelin në Britani, aktivistët hynë në bazën ajrore “Brize Norton” që i përket Forcave Mbretërore Ajrore Britanike (RAF) në Oxfordshire dhe spërkatën me bojë të kuqe motorët e dy avionëve ushtarakë.
Në një deklaratë nga “Palestine Action” u raportua se boja e kuqe që simbolizon gjakun palestinez u spërkat edhe në pistë, se një flamur palestinez u la në vendin e ngjarjes dhe se të dy aktivistët arritën t’i shpëtonin sigurisë.
Zëdhënësi i grupit tha se “Edhe pse qeveria britanike e dënon publikisht Izraelin, ajo ende dërgon ngarkesa ushtarake, kryen fluturime spiunazhi mbi Gaza dhe furnizon me karburant avionët luftarakë amerikanë dhe izraelitë”.
Kryeministri britanik, Keir Starmer dhe sekretari i Mbrojtjes John Healey reaguan ndaj veprimit të ndërmarrë nga aktivistët e “Palestine Action”. Pas veprimit në fjalë, u iniciuan përpjekje për të shtuar grupin mbështetës të Palestinës në listën e organizatave të ndaluara.