Liverpooli shpenzon, por Real Madridi buzëqesh: Alonso ka Wirtzin e tij – quhet Arda Guler

Liverpooli ka thyer çdo rekord të klubit në këtë afat kalimtar, duke siguruar shërbimet e Florian Wirtz nga Bayer Leverkusen për një shumë marramendëse prej 125 milionë eurosh.

Megjithatë, sipas gazetës spanjolle AS, nuk është nevoja të kërkosh larg për një talent të këtij niveli — Arda Guler, ylli turk i Real Madridit, është po aq i mirë dhe premton një të ardhme po aq të ndritur.

“Në një deklaratë të qartë qëllimi nga Guler, ai zëvendësoi Rodrygon në formacionin titullar. Përveç golit të realizuar, tregoi fleksibilitet të jashtëzakonshëm duke u pozicionuar edhe në mesfushë, sidomos pas përjashtimit të hershëm të Raul Asencios”, shkruan AS.

Gazeta spanjolle shton më tej: “Xabi Alonso, tashmë trajner i Real Madridit, e ka Florian Wirtzin e tij – dhe ai është pikërisht Arda Guler”.

Kujtojmë që Wirtz u bë një prej futbollistëve më të spikatur në Evropë nën drejtimin e Xabi Alonsos te Bayer Leverkusen, ku gjatë dy sezoneve të fundit shpërtheu në nivele të jashtëzakonshme.

Tani, me Alonso në stolin e Los Blancos, pritshmëritë janë që të njëjtën gjë ta bëjë me Gulerin, duke e shndërruar në një superyll global, ashtu siç ndodhi me Wirtz — vetëm se kësaj radhe, do të jetë në skenën e “Santiago Bernabéu”.

 

Kategoritë
LajmeSport