“Lidhja mes Shqipërisë dhe Turqisë është shumë e rëndësishme”

Ambasadori Yörük mbajti seminarin e parë në hapjen e “Shkollës Rinore Ballkanike 2021” me temë “Marrëdhëniet Shqipëri-Turqi-Ndikimi i pandemisë në aspektin sociologjik në shoqërinë shqiptare”

Në Shqipëri ka filluar “Shkolla Rinore Ballkanike 2021”, organizuar nga Shoqata e të Diplomuarve në Turqi e Shqipërisë në bashkëpunim me Kryesinë e Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB), raporton Anadolu Agency (AA).

Të pranishëm në ceremoninë e hapjes ishin ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, drejtori i Institutit “Yunus Emre” në Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, kryetari i Shoqatës së të Diplomuarve në Turqi (TUMED), Egert Haxhiu dhe të ftuar të tjerë.

Ambasadori Yörük mbajti seminarin e parë me temë “Marrëdhëniet Shqipëri-Turqi-Ndikimi i pandemisë në aspektin sociologjik në shoqërinë shqiptare”.

Ai theksoi se mes Shqipërisë dhe Turqisë ka një lidhje shumë të thellë dhe sipas tij marrëdhëniet midis dy vendeve janë shumë të rëndësishme.

Duke iu drejtuar të rinjve pjesëmarrës, ambasadori turk theksoi se “Ashtu siç e kam thënë vazhdoj ta them që me të vërtetë lidhja mes Shqipërisë dhe Turqisë është shumë e rëndësishme, është shumë ndryshe nga lidhjet e tjera. Është diçka që ka filluar me kulturën, historinë tonë dhe ka disa përfaqësime të tjera dhe kështu ka vazhduar me shekuj të tërë përpara. Kjo është një lidhje farefisnore, lidhja jonë, lidhja midis dy shteteve. Ne kemi patur lidhje edhe më përpara dhe tani dhe jemi bërë si mish e thua”.

Ai shpreh se mes dy vendeve ka shumë gjëra të përbashkëta, “qoftë për pjesën kulturore, qoftë për pjesën ushtarake dhe diplomatike. Të gjitha lidhjet ne i kemi përforcuar. Momentalisht në Shqipëri ka 600 kompani turke dhe që kanë punësuar 15 mijë persona”.

Ambasadori Yörük theksoi se Turqia ka qenë pranë popullit shqiptar duke e ndihmuar edhe në aspektin ushtarak dhe shtoi se populli turk e mbështeti anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Ai foli edhe për organizatën terroriste FETO dhe strukturën e saj, e cila organizoi tentativën për grusht shteti në Turqi, duke theksuar se në momentin e parë që ata kanë mundësi apo iu cenohet diçka e tyre, “ata mund të kthehen në një makinë kriminale e këtij vendi”.

Ambasadori theksoi se i gjithë populli turk u derdh në sheshe për të penguar grushtin e shtetit, duke theksuar se ky lloj terrorizimi është gjenerata e re e terrorizmit.

“Në sektorë të ndryshëm në Shqipëri ata (FETO) janë të gatshëm dhe punojnë akoma. Tani ata janë edhe në fushën e shëndetësisë, në fushën e ekonomisë, medias dhe në fushën e arsimit. Si rini e këtij vendi duhet të jeni të vëmendshëm dhe t’i jepni rëndësinë dhe ta kuptojmë se çfarë duhet të bëjmë me këto raste, me këtë situatë që ndodhemi”, u shpreh ambasadori turk, duke shtuar se duan që populli shqiptar të marrë masa që mos të përjetojnë të njëjtën gjë.

Duke folur për pandeminë e COVID-19, ai tha se presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka dhënë drejtimet dhe ka ofruar mbështetje për “ndihmat për shtetet që kanë nevojë për kohën që po jetojmë”.

“Politika jonë parësore është ndihmesa dhe të gjendurit pranë njerëzve dhe përparimi i shëndetit të njerëzve. Në politikën tonë të jashtme kemi ecur gjithmonë me parimin për të ndihmuar njerëzit në nevojë në rastet e tërmeteve, pandemive dhe në rastet e përmbytjeve, luftërave të brendshme”, tha ambasadori turk, duke folur edhe për mbështetjen për vendet nga Lindja e Largët, Lindja e Mesme dhe deri në Ballkan.

Kryetari i Shoqatës së të Diplomuarve në Turqi (TUMED), Egert Haxhiu, gjatë fjalës në aktivitetin e hapjes, duke falënderuar pjesëmarrësit u shpreh se synojnë dhe shpresojnë që si shoqatë të forcojnë lidhjet me Turqinë.

Seminaret ku marrin pjesë të rinj që studiojnë në degë të ndryshme në Shqipëri do të zhvillohen për 6 javë radhazi dhe projekti “Shkolla Rinore Ballkanike” konsiston në organizimin e një cikli seminaresh me karakter trajnues, ku trajtohen tematika kulturore, fetare, filozofike, historike dhe të tjera.

Kategoritë
LajmeTë ndryshme