Liderët e NATO-s mblidhen për të diskutuar rritjen historike të shpenzimeve të mbrojtjes

– “NATO është në prag të marrjes së vendimeve që çojnë në një rritje të paparë të shpenzimeve tona të mbrojtjes kolektive dhe në një ekuilibër të ri financiar në aleancën tonë”, tha kreu i NATO-s, Rutte

 Liderët e NATO-s u mblodhën sot në Hagë për një samit historik që synon forcimin e aleancës mes kërcënimeve globale në rritje ndërsa Sekretari i Përgjithshëm, Mark Rutte propozoi që të gjitha shtetet anëtare të ndajnë 5 për qind të PBB-së për shpenzimet e mbrojtjes, raporton Anadolu.

Në fjalën e tij në fillim të samitit, Rutte e përshkroi mjedisin aktual të sigurisë si “të rrezikshëm” për 1 miliard qytetarët e aleancës, duke përmendur luftën e Rusisë në Ukrainë, konfliktet në Lindjen e Mesme, terrorizmin në rritje dhe sfidat teknologjike.

“NATO është në prag të marrjes së vendimeve që çojnë në një rritje të paparë të shpenzimeve tona të mbrojtjes kolektive dhe në një ekuilibër të ri financiar në aleancën tonë”, tha ai.

“Përballë kësaj, ne qëndrojmë së bashku, të bashkuar në NATO, aleancën mbrojtëse më të fuqishme në historinë botërore”, theksoi Rutte.

“Angazhimi ynë i qëndrueshëm ndaj Nenit 5, që një sulm ndaj njërit është një sulm ndaj të gjithëve, dërgon një mesazh të fuqishëm”, shtoi ai.

Objektivi i propozuar prej 5 për qind për shpenzimet e mbrojtjes shënon një ndryshim të rëndësishëm nga objektivi aktual prej 2 për qind, duke synuar forcimin e aftësive thelbësore të mbrojtjes dhe investimeve që lidhen me sigurinë.

Rutte tha se ky veprim është i nevojshëm për të furnizuar me burime planet operacionale të NATO-s dhe për të rritur gatishmërinë e përgjithshme. “Kjo e bën edhe NATO-n më të drejtë”, shtoi ai.

“Për një kohë shumë të gjatë, një aleat, SHBA-ja mbajti shumë barrë. Kjo ndryshon sot”, tha ai.

Rutte vlerësoi gjithashtu presidentin e SHBA-së, Donald Trump për nxitjen e bisedës mbi ndarjen e barrës.

“President Trump, i dashur Donald, ju e bëtë të mundur këtë ndryshim”, tha ai duke vënë në dukje se aleatët evropianë kanë rritur shpenzimet me 1 trilion dollarë që nga viti 2016 dhe pritet që të shtohen shpenzimet sipas planit të ri.

Kategoritë
BotaLajme