Kush po jep informata të pasakta? Irani mohon se ka lëshuar raketa drejt Izraelit pas shpalljes së armëpushimit

Irani ka mohuar pretendimet izraelite se ka lëshuar raketa drejt territorit izraelit pas pranimit të armëpushimit, sipas raportimeve të IRIB dhe agjencisë së lajmeve ISNA.

Pas akuzave nga Tel Avivi se Irani ka shkelur marrëveshjen vetëm disa orë pas hyrjes në fuqi të saj, Izraeli ka paralajmëruar një kundërpërgjigje të ashpër ndaj Teheranit.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, deklaroi se ka urdhëruar Forcat Mbrojtëse të Izraelit që të “përgjigjen fuqishëm ndaj shkeljes së armëpushimit përmes sulmeve intensive ndaj objektivave të regjimit në zemër të Teheranit”.

Edhe politikanë të tjerë izraelitë kanë bërë thirrje për hakmarrje ndaj Iranit.
Ministri i Financave, Bezalel Smotrich, një figurë e ekstremit të djathtë dhe anëtar i kabinetit të sigurisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu, shkroi: “Teherani do të dridhet.”
Kreu i partisë së djathtë Yisrael Beytenu, Avigdor Liberman, reagoi ashpër:

“Tri orë e gjysmë pas njoftimit të presidentit amerikan për armëpushim, Irani lëshon zjarr drejt veriut të Izraelit. Nuk duhet ta pranojmë këtë, nuk duhet ta injorojmë – duhet të përgjigjemi menjëherë”, deklaroi Liberman.

Kujtojmë se sot në mëngjes, si pala iraniane ashtu edhe ajo izraelite, së bashku me presidentin amerikan Donald Trump, konfirmuan se ishte arritur një marrëveshje për armëpushim.
Më herët, Irani kishte sulmuar dy baza amerikane – një në Siri dhe një tjetër në Katar – si kundërpërgjigje ndaj bombardimeve të SHBA-së ndaj objekteve të tij bërthamore një ditë më parë.

Kategoritë
BotaLajme