Kurti u foli si Perandor bashkëpartiakëve për 9 shkurtin: S’duhet të kemi rivalitet mes veti

Vetëvendosje sot ka mbajtur takimin e radhës të Këshillit të Përgjithshëm, i cili është përshkuar nga fryma zgjedhore. Zyrtarët më të lartë Albin Kurti e Glauk Konjufca kanë tentuar të frymëzojnë sa më shumë bashkëpartiakët për zgjedhjet e 9 shkurtit. Edhe pse Kurti u shfaq i bindur se përsëri mund ta replikojë rezultatin e vitit 2021, ai tha se të gjitha partitë në zgjedhje fillojnë nga zero. Pak më alarmues ishte Konjufca i cili u tha të tubuarve të VV’së se kundërshtarët do të përpiqen ta gërryejnë Vetëvendosjes duke tentuar t’ia marrin nga 1-2% në muajt e ardhshëm.

Kurti në fjalimin e tij të gjatë i këshilloi anëtarët e VV’së që të mos bëjnë garë mes vete gjatë zgjedhjeve.
Ai zgjodhi t’ua citojë Perandorin Romak Mark Aurelie i cili në “Meditime’t” e tij kishte thënë “i gjithë zgjoi vuan kur një bletë është e sëmurë”.

“Duhet të kuptojmë që gara me njëri-tjetrin është produkt i ndasive që і nxitin të tjerët. Ajo nuk na shërben neve dhe nuk i shërben qytetarëve. Stoiket e kanë vënë re qysh në kohërat antike që gara e vetme qe duhet ta kemi është ajo me vetveten, natyrisht vetëm nëse përmirësimi dhe progresi janë qëllimet tona” tha Kurti.

“Një perandor romak Mark Aureli, stoik i kanonizuar përmes meditimeve të tij të lënpas si shënime, kishte thënë se i gjithë zgjoi vuan kur madje vetëm edhe një bletë është e sëmurë e po ashtu i gjithe zgjoi lulëzon vetëm atëhere kur të gjitha bletët janë mirë. Mbase ketu kemi se çfarë të mësojmë nga Mark Aureli, i cili meditimet e tij historike i zhvilloi si udhërrefyes për vetveten”, shtoi kreu i VV’së

Pas fjalëve të Perandorit, Kurti bëri edhe vetë një reflektim mbi pushtetin.

“Anipse Roma antike mund të duket shumë e largët në kohë, natyra njerëzore , e posaqërisht në relacion me pushtetin, mbase nuk ka ndryshuar aq”.

Më tej, Kurti i instruktoi bashkëpartiakët në frymën stoiciste, si te sillen mes vete në zgjedhje.

“Përpos që nuk duhet te kemi garë, rivalitet, me njëri-tjetrin,

po ashtu duhet të kemi bashkëpunim, mirëkuptim, miredashje, sepse përndryshe i gjithë zinxhiri i organizatës sonë mund të pesojë.Garën me njeri-jetrin duhet ta ruajmë për zgjedhjet e brendshme të Lëvizjes VETEVENDOSJE!. Për zgjedhjet parlamentare ose ato lokale, duhet ta kemi bashkëpunimin, bashkërendimin, përkrahjen, mbështetjen, ndihmën, që ia japim të pakursyer, pa rezervë, njër- tjetrit. Fundja, të gjithë e kemi synimin e njejtë kauzat që na bashkojnë janë më ta shumta se çfarëdo trivaliteti që mund të na ndajë” tha ai.

Ndryshe, nga Kurti e Konjufca që kishin fjalime të një “niveli tjetër”, zyrtarët më të ulët se ata diskutuan për qeverisjen. Debatet i dominuan kritikat për qeveritë e kaluara dhe ato që VV dhe Qeveria Kurti i numëron si suksese.

Kategoritë
LajmeVendi