Kurti: Shumë gjëra mund t’i bëj pa opozitën, por jo të shkojmë në zgjedhje

Kryeministri Albin Kurti tha se nuk i ka problem zgjedhjet e parakohshme, por thotë se ato mund të bëhen vetëm me opozitën.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kurti tha se “prej javës së dytë, ndoshta jo të parë që jam kryeministër, është folur për zgjedhje të parakohshme”

“Unë këtë javë i bëj tre vjet që jam në detyrë. Ndoshta do të ketë zgjedhje të parakohshme, unë nuk e di, por…”, u shpreh Kurti.

Ai tha se ndonëse mund të bëjë shumë gjëra pa opozitën, shkuarja në zgjedhje është njëra prej atyre që s’mund ta bëjë.

“Për ne është krejt njësoj. Por, unë nuk mund të kem zgjedhje të parakohshme në Kosovë pa opozitën. Nëse opozita do zgjedhje të parakohshme, duhet të shpërbëhet Kuvendi. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nga viti 2020 nuk ka lënë mundësi të tjera. Pra, ne, për të pasur zgjedhje të parakohshme, duhet ta shpërndajmë Kuvendin… dhe le të mbahen edhe zgjedhjet e parakohshme për ata që e kanë mendjen aty. Nuk kam unë problem për asnjërin variant. Shumë gjëra mund t’i bëj edhe pa opozitën, por jo edhe këtë”.

Kategoritë
LajmeVendi