Kurti: Opozita po na zgjat mandatin, dikush mund të mendojë se kemi marrëveshje!

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se po hyn në çerekun e dytë të vitit të pestë të mandatit të tij, ndërsa institucionet e reja ende nuk janë konstituuar pas zgjedhjeve të fundit, raporton Ekonomia Online.

Ai ka theksuar se, ndryshe nga praktikat demokratike, opozita në Kosovë nuk po përpiqet të shkurtojë mandatin e qeverisë, por përkundrazi, po e zgjat atë.

Kurti tha se nuk ka një shpjegim të qartë për këtë sjellje institucionale dhe e cilësoi situatën si të pakuptueshme.

Ai theksoi se sa më shpejt që të konstituohet Kuvendi me votim të fshehtë për kryesinë, aq më shpejt do të mund të formohet edhe qeveria e re.

“Ju gjithmonë e dini që kam hyrë në çerekun e dytë të vitit të pestë të mandatit të plotë. Çdo opozitë demokratike përpiqet që t’ia shkurtojë mandatin qeverisë. Përveç opozitës kosovare, e cila, siç jeni dëshmitarë të gjithë ju, po e zgjat mandatin e qeverisë Kurti. Dikush edhe mund të mendojë se kemi marrëveshje.” “Pra, ne si qeveri në detyrë kemi marrëveshje me opozitën aktuale që të qëndrojmë sa më shumë në pushtet. Por ju siguroj që kjo nuk është e vërtetë. Nuk kam shpjegim për këtë sjellje nëpër të cilën po kalojnë institucionet e Kosovës”.

“Ne, në bazë të nenit 31 të Ligjit për Qeverinë, kemi më pak kompetenca, por kemi njësoj shumë punë. Sa më herët që e konstituojmë Kuvendin, duke e formuar me votim të fshehtë kryesinë e Kuvendit, aq më shpejt do të jemi edhe te qeveria e re”.

“Në ndërkohë që nuk ka qeveri të re, Kurti 3 ka qeveri në detyrë. Ky është realiteti që nuk kam çfarë t’i shtoj”, tha Kurti, pas vendosjes së gurthemelit për marrjen e aneksit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe fillimin e rinovimit në këto depo, raporton Ekonomia Online.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi