Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media ka thënë se në takimin e 14 shtatorit në Bruksel ka refuzuar që marrëveshja bazike të fillohet të zbatohet nga neni për Asociacion.
Kurti tha se në takim kishte shkuar edhe me propozim, por që propozimi i tyre është refuzuar, transmeton Telegrafi.
“Shkova në takim me propozim konkret, me të cilin ne parashikuam një zbatim të plotë të marrëveshjes bazike, propozimi ynë bazohej në parimin gjithëpërfshirës, që nënkupton që çdo nen e çdo përcaktim do të përfshihej në planin e zbatimit. Parimin e gjithëpërfshirës nuk e kam zbuluar unë, as nuk është diçka e pazakontë në planet zbatuese të marrëveshjeve ndërkombëtare. Në aneksin e marrëveshjes thuhet se çdo nen i marrëveshjes duhet zbatuar, kjo është e zakonshme dhe logjike në zbatimin e marrëveshjes”, tha ai.















