Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po mban një konferencë për media pas procesit të dialogut që u zhvillua të enjten në Bruksel.
Në këtë konferencë për media Kurti ka folur edhe për zgjedhjet në pjesën veriore të vendit.
Kurti ka theksuar se ekziston rruga e qartë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri.
“Ne e kemi bërë rrugën që të ndiqet në mënyrë që të kemi zgjedhje të parakohshme në katër komunat. Shto këtu edhe zvogëlimin e Policisë 2 herë kah 25 për qind, masat s’kanë arsye të jenë”, u shpreh kryeministri i vendit.
Më tutje Kurti ka folur edhe për masat e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës.
Sipas Kurtit, tash e dy muaj s’ka incidente e as protesta të dhunshme në veriun e Kosovës, me ç’rast sipas tij, Kosova duhet të jetë e kujdesshme për mundësinë e rieskalimit.
“Deeskalimi në masë të konsiderueshme ka ndodhur, ka 2 muaj që s’ka incidente e as protesta të dhunshme. Adresa për rieskalim s’është në Prishtinë, por në Beograd e në hotelin Kopaonik…Deeskalimi do të duhej të ishte i mjaftueshëm për të rimenduar heqjen e masave”, ka thënë ai.
Më tutje Kurti ka thënë se ose do e zbatojmë marrëveshjen bazike në tërësinë, në plotëninë e saj, ose nuk mund të zbatojmë vetëm ato që i do Serbia.
Kjo logjikë ka vdekur dhe një Republikë e pavarur e Kosovës nuk mund, nuk duhet dhe nuk do të ecë në një shteg të tillë, është shprehur Kurti.















