Kur nuk guxon të gëzohesh!

Shkruan: Beni Kizolli
Zgjedhjet lokale që sapo përfunduan mbyllën edhe një cikël tjetër katërvjeçar të përballjeve politike në Kosovë.
Përtej garës demokratike, këto zgjedhje zbuluan një realitet të hidhur: mungesën e debatit të vërtetë politik dhe shndërrimin e vlerave më të ndjeshme shoqërore, fesë dhe patriotizmit, në instrumente të marketingut elektoral.
Fillimisht, për të gjithë garuesit uroj shëndet, ndërsa fituesve u dëshiroj suksese në përgjegjësinë që kanë marrë.
Zgjedhje pas zgjedhjesh kemi parë platforma, ide dhe premtime progresive, por krahas tyre edhe kandidatë e gara regresive në disa komuna.
Edhe pse problemet në komunat tona janë, në thelb, të ngjashme edhe zgjidhjet shpesh mund të jenë të njëjta. Prandaj, projektet apo premtimet që duken të përsëritura nuk janë domosdoshmërisht të pavlera, ato marrin kuptim të veçantë në varësi të prioriteteve lokale.
Në komunat qendrore, shumë kandidatë që sfiduan kryetarët aktualë nuk arritën të sjellin ndryshimin e premtuar, qoftë përmes programeve apo përmes opozitarizmit të tyre. Nuk po përfshij këtu fitoren e z. Peci, i cili e arriti rezultatin falë mbështetjes së mekanizmave të nivelit qendror dhe për këtë arsye nuk mund të konsiderohet si sukses organizativ apo personal.
Nga kjo përvojë del qartë se jo të gjithë fituesit fituan për shkak të punës së tyre në mandatin e kaluar dhe jo të gjithë humbësit humbën për mungesë përkushtimi.
Përkundrazi, shumë kandidatë që u paraqitën si “forca e re e ndryshimit” nuk arritën ta bindin qytetarin. Jo pse ndryshimi nuk është i nevojshëm, por sepse mungoi përmbajtja, organizimi dhe mbi të gjitha, besueshmëria.
Në disa raste, sfiduesit u mbështetën në opozitarizëm të zhurmshëm, e jo në argumente programore.
Kështu, qytetari mbeti sërish midis alternativave që dallojnë pak në vizion, por shumë në mënyrën se si përdorin emocionet/interesat për të siguruar votën.
Në shumë komuna, gara nuk u zhvillua rreth ideve apo zgjidhjeve konkrete, por rreth etiketimeve: cila parti ka më shumë “patriota” dhe cila ka më shumë “besimtarë”.
Por për fat të keq, në Kosovë asnjë parti nuk ka zhvilluar mekanizma të brendshëm matës për këto vlera. Nuk ekziston një filtër moral që ndan njeriun e ndershëm nga ai që e përdor ose lufton patriotizmin apo fenë për përfitim personal.
Në mungesë të këtyre mekanizmave, korrupsioni dhe nepotizmi janë shndërruar në mekanizma fitoreje, jo në turp politik. Dhe pikërisht këto dy plagë e mbajnë shoqërinë tonë në varfëri, konflikt dhe prapambetje, duke ia mohuar qytetarit të thjeshtë mundësinë për një jetë të qetë dhe dinjitoze.
Në Kosovë ka politikanë që kanë dëshmuar, në jetë e në punë, se janë patriotë të vërtetë dhe besimtarë të përulur. Ka edhe figura politike që i kanë shërbyer publikut pa dallim feje apo etnie. Por, për fat të keq, këta mbeten përjashtim, jo rregull.
Në partitë tona mungon një sistem i vlerësimit që shpërblen ndershmërinë dhe ndëshkon abuzimin moral. Në mungesë të tij, politika mbetet arenë e fjalëve të mëdha dhe veprave të vogla.
Në jetën politike të Kosovës, kur një ide, qasje apo veprim kritikohet në mënyrë të argumentuar dhe të thelluar, lind mundësia për përmirësim të sistemit dhe interesit publik.
Por kur kritika shndërrohet në mjet për të goditur kundërshtarin, pa synim ndërtues, pasojat janë të parashikueshme: polarizim, tension dhe humbje e besimit publik.
Vlerat që duhet të na bashkojnë janë: drejtësia, ndershmëria dhe përkushtimi ndaj atdheut.
Nëse nuk i kthejmë këto vlera në udhërrëfyes moral të politikës, do të vazhdojmë të kemi shumë zgjedhje, por pak ndryshim.
Nuk po guxoj të gëzohem, sepse sot kemi fitore pa merita dhe humbje të padrejta.

Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
ANALIZA JAVOREOPINIONEOpinione - Ballina