Ky çmim iu dha çiftit DioGuard në shenjë mirënjohje dhe respekti për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për Kosovën dhe kauzën kombëtare në përgjithësi.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i ka dhënë “Çelësin e Qytetit” ish-kongresistit amerikan, Joe DioGuardi dhe bashkëshortes së tij, Shirley Cloyes DioGuardi nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane.
Ky çmim iu dha çiftit DioGuard në shenjë mirënjohje dhe respekti për “kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për Kosovën dhe kauzën kombëtare në përgjithësi”.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në fjalën e tij para të pranishmëve tha se ndjehet i nderuar për ndarjen e një çmimi të tillë “për një familje që ka dhënë aq shumë për Kosovën”.
“Sot zemrat na rrahin si një. Është nderë që nuk shprehet me fjalë të qëndrojmë para jush që bëtë aq shumë për çështjen shqiptare. Dyert e qytetit gjithmonë janë të hapura për ju ashtu siç ishin zemrat tuaja për ne”, tha Rama.
Ndërsa Joe DioGuardi tha se gjyshërit e tij janë shqiptarë dhe është edukuar të punojë për kauzën shqiptare.
“Unë këtu gjejë inspirim te zemrat e juaja, nuk e kam bërë kurrë këtë për para, përveç vullnetit dhe dëshirës që e kam marrë nga populli shqiptar. Tani, po e shoh që edhe vendi juaj paska ecur përpara dhe qenka zhvilluar”, deklaroi DioGuardi.
Shirley Cloyes DioGuardi përmendi periudhën e okupimit të Kosovës nga regjimi i Serbisë duke shtuar se libri i saj i parë si publiciste ka qenë me titull “Ngritja e Milosheviqit”.
“Në ketë proces të gjatë, qytetarët e këtij vendi së bashku me shqiptaro-amerikanët tanë kanë qenë të involvuar së bashku dhe u deshën 20 vjet punë që SHBA ta njeh Kosovën si shtet të pavarur. Nga viti 1994 deri 2009, ne kemi ardhur dy herë në vit në Kosovë, dhe Kosova për mua ka qenë shtëpia ime e dytë. Ne kemi punuar shumë dhe tani duhet të punojmë për një komb të fuqishëm”, theksoi ajo.
Joseph DioGuardi, në mesin e viteve të 80-ta së bashku me biznesmenët shqiptarë të Amerikës themeloi Lobin Shqiptar që më vonë kulmoi me themelimin e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, ku edhe ishte kryetar.









