Goditje e re për Vuçiqin, EPP do të rishqyrtojë pozitën e SNS-së për shkak të glorifikimit të Mladiqit: “Kjo nuk mund të injorohet”

Goditje e re për Vuçiqin, EPP do të rishqyrtojë pozitën e SNS-së për shkak të glorifikimit të Mladiqit: “Kjo nuk mund të injorohet”

Partia Popullore Evropiane (EPP) ka reaguar lidhur me glorifikimin e të dënuarit për krime lufte Ratko Mladiq në Serbi, duke bërë të ditur se për shkak të situatës së krijuar do të rishqyrtohet edhe raporti me Partinë Përparimtare Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiqit.

Asambleja Politike e EPP-së dënoi glorifikimin e Mladiqit dhe deklaroi se në varrimin e tij morën pjesë edhe zyrtarë të lartë të Serbisë.

“Pamjet nga varrimi në Beograd i të dënuarit për krime lufte Ratko Mladiq ishin thellësisht shqetësuese. Mladiq është përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë dhe një sërë krimesh jashtëzakonisht të rënda të luftës, të kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi. Krimet e tij janë vërtetuar nga gjykatat ndërkombëtare dhe ato nuk duhet kurrë të relativizohen, glorifikohen apo harrohen.”

“Në vend të përballjes me këtë trashëgimi të errët, ishim dëshmitarë të nderimeve publike dhe shtetërore në varrimin e tij, pjesëmarrjes së zyrtarëve të lartë serbë dhe shfaqjeve të hapura të mbështetjes në vende publike”, thuhet në reagimin e EPP-së.

EPP theksoi gjithashtu se do të rishqyrtojë raportin aktual me Partinë Përparimtare Serbe (SNS), e cila gëzon statusin e anëtares së asociuar në EPP.

“Veprime të tilla janë thellësisht shqetësuese dhe janë në kundërshtim të qartë me vlerat e pajtimit, respektimit të viktimave dhe përgjegjësisë mbi të cilat mbështetet projekti evropian.”

“Asambleja Politike përsëriti mosbesimin dhe dënimin e shprehur nga udhëheqja e EPP-së dhe komuniteti ndërkombëtar. Në kuadër të procesit të vazhdueshëm të mbikëqyrjes së SNS-së, këto zhvillime të fundit nuk mund të injorohen”, thuhet në deklaratë.

Kategoritë
LajmeRajoni
Reklamë: ABE Kosova