Kryeministri Rama përplaset me liderin e partisë opozitare në Britani “për shqiptarët e dënuar në Britani”

“Shqiptarët në Britani nuk janë një statistikë që mund të shtrembërohen për teatrin politik të periudhës pas Brexit-it, i nderuar z. Farage. Ata janë studentë, akademikë, ndërtues, shoferë, pronarë biznesesh dhe partnerë”, ka thënë Rama.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka shkëmbyer një sërë postimesh me deputetin britanik dhe liderin e partisë së ekstremit të djathtë Reform UK, Nigel Farage, lidhur me “shqiptarët që janë nëpër burgjet e Britanisë”, raporton Anadolu.

Farage, në një emision televiziv, kishte kritikuar ashpër kryeministrin Rama lidhur me vlerësimet e këtij të fundit për Britaninë pas Brexit-it.

“Kryeministri shqiptar na kritikon për Brexit-in dhe thotë se Britania është ‘në një vend të errët, duke kërkuar vende për të larguar emigrantët'”, pati thënë Nigel, duke iu kundërpërgjigjur intervistës së kryeministrit Rama lidhur me qëndrimet e tij për çështjen në fjalë.

“Një plan i Mbretërisë së Bashkuar për të dërguar azilkërkuesit e refuzuar në ‘qendrat e kthimit’ në vendet e treta tregon se Britania pas Brexit-it është ‘në një vend shumë të errët'”, ishte shprehur Rama.

Farage duke iu përgjigjur komenteve të kryeministrit shqiptar theksoi se “një në 50 shqiptarë në Britani janë në burg”, duke bërë thirrje për riatdhesimin e tyre të menjëhershëm.

Ai gjithashtu kritikoi Ramën për hipokrizi, duke iu referuar negociatave të Shqipërisë për të pranuar emigrantë nga vende të tjera.

– Rama: “Një në 50 shqiptarë janë në burg? Nuk është fakt, është çmenduri”

Ndërkaq Rama, në postimin e tij në X, lidhur me pretendimet e Farage tha: “Pretendimi se ‘një në 50 shqiptarë janë në burg’? Nuk është fakt. Është çmenduri”.

“Le t’i sjellim të dy shifrat tona në tryezë. Nëse pretendimi juaj ‘një në 50’ është i vërtetë, unë personalisht do të angazhohem t’i marrë të gjithë mbrapsht. Ky nuk është një titull konkurrues, por është një zotim publik”, shtoi Rama.

Duke cituar këtë postim të kryeministrit Rama, Farage iu përgjigj me një postim tjetër duke thënë: “Në Mbretërinë e Bashkuar gjenden 53.000 shtetas shqiptarë dhe 1.099 prej tyre janë në burgjet tona. Në fakt, kjo është 1 në 48. Do t’i kërkoj sekretares së Brendshme të organizojë që të gjithë këta të burgosur t’ju kthehen juve”.

– Rama fton Farage në Shqipëri me një ilustrim të përgatitur nga Inteligjenca Artificiale

Pas postimit të fundit të Farage, Rama bëri edhe një postim në X me një ilustrim të përgatitur nga Inteligjenca Artificiale ku ai dhe Farage po bisedojnë me kostume banjoje, të shoqëruar nga një mbishkrim “Vizitoni Shqipërinë. Diell i mrekullueshëm, mikpritje e ngrohtë dhe fakte të vërteta”.

Rama në këtë postim, hodhi poshtë pretendimin e Farage se në Mbretërinë e Bashkuar gjenden 53.000 shtetas shqiptarë, duke thënë se ky numër është shumëfish herë më i lartë.

“Shqiptarët në Britani nuk janë një statistikë që mund të shtrembërohen për teatrin politik të periudhës pas Brexit-it, i nderuar z. Farage. Ata janë studentë, akademikë, ndërtues, shoferë, pronarë biznesesh dhe partnerë. Dhe nëse një në një mijë dështon, kjo nuk e kthen turmën në kurban për konfuzionin tuaj kombëtar”, vijon reagimi i kryeministrit të Shqipërisë, Rama duke e përsëritur ftesën e tij ndaj Farage për vizitë në Shqipëri.

Kategoritë
BotaLajme