“Folëm për angazhimet e samitit, Ballkanin Perëndimor, investimin madhor për Portin e Ri të Durrësit, ku NATO do të angazhohet për terminalin ushtarak, e po ashtu edhe për përgatitjet e Samitit 2027 në Tiranë”, tha Rama për takimin me Rutte.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, transmeton Anadolu.
Takimi Rama-Rutte është mbajtur në Hagë të Holandës në kuadër të Samitit të NATO-s, ndërkohë kryeministri Rama ka theksuar se NATO do të angazhohet për terminalin ushtarak në Portin e Ri të Durrësit.
“Kënaqësi të takoja Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s dhe mikun e çmuar, Mark Rutte, me të cilin folëm për angazhimet e samitit, Ballkanin Perëndimor, investimin madhor për Portin e Ri të Durrësit, ku NATO do të angazhohet për terminalin ushtarak, e po ashtu edhe për përgatitjet e Samitit 2027 në Tiranë”, ka shkruar Rama në rrjetet sociale në lidhje me takimin.
Udhëheqësit e 32 shteteve anëtare të NATO-s do të mblidhen në Hagë më 24-25 qershor për një samit kritik të dominuar nga debatet mbi rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe kërkesën e Ukrainës për anëtarësim.