Kryeministri i Sllovakisë dyshohet se u qëllua nga një shkrimtar 71-vjeçar

Sipas informacioneve jozyrtare që disponohen mediat, sulmi i armatosur ndaj kryeministrit të Sllovakisë Robert Fico u krye nga shkrimtari 71-vjeçar Juraj C.

Siç raporton Pravda, ai ka punuar më parë në një shërbim privat sigurimesh, ndërsa në media është shfaqur në vitin 2016 pas një incidenti ku u rrah nga një person i cili ishte nën ndikimin e lëndëve narkotike.

Është e rëndësishme të theksohet se policia ende nuk e ka konfirmuar apo mohuar këtë informacion.

Sulmuesi i dyshuar ka lindur në vitin 1953 dhe ka jetuar në Levice për shumë vite. Sipas informacioneve të disponueshme publikisht, ai është një nga themeluesit e klubit letrar të majtë Duga, në të cilin është aktiv që nga viti 2005.

Tetë vjet më parë ai njoftoi në internet se po mblidhte nënshkrime për krijimin e një partie politike kundër dhunës, kur tha: “Dhuna shpesh është reagim i njerëzve, si një formë e shprehjes së pakënaqësisë së thjeshtë për gjendjen e gjërave. Le të jemi të pakënaqur, por jo të dhunshëm”.

Në një njoftim për mediat nga zyra e Ficos, ata deklaruan se në drejtim të kryeministrit sllovak janë qëlluar disa plumba dhe se jeta e tij është në rrezik. Mësohet se ai ka qenë në sallën e operacionit për një kohë të gjatë.

Kategoritë
BotaLajme