– “Mendoj se Rusia nuk është aq e fortë sa të përbëjë kërcënim real për ne. Ne jemi shumë më të fortë se ata. NATO nuk ka punë në Ukrainë”, tha kryeministri hungarez, Orban
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban deklaroi se Rusia nuk është aq e fortë sa të përbëjë kërcënim për NATO-n dhe mbrojti idenë se Aleanca “nuk ka punë” në Ukrainë, transmeton Anadolu.
Orban iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve përpara sesioneve të ditës së fundit të Samitit të NATO-s në qytetin Hagë të Holandës.
Kur u pyet se cili ishte kërcënimi më i madh për Evropën, Orban tha: “Kërcënimi më i madh për Evropën është humbja e konkurrueshmërisë së saj. Kërcënimi i vërtetë nuk është siguria, është kërcënimi ekonomik. Ne po humbasim konkurrueshmërinë tonë në tregtinë globale, ky është problemi i vërtetë”.
Ndaj pyetjes se “A nuk është shqetësuese që siguria globale varet nga egoja e një njeriu, presidentit të SHBA-së Donald Trump?”, Orban tha: “Trump është njeri shumë i ndjeshëm. E patë këtë kohët e fundit me trajtimin e tij të konfliktit midis Iranit dhe Izraelit. Ai është njeri i ndjeshëm. Kjo do të thotë që luftërat tani janë më të shkurtra dhe karburanti i luftërave të vjetra ka mbaruar, gjë që është rezultat i aktiviteteve të tij”.
Duke folur për objektivin e ri prej 5 për qind të produktit të brendshëm bruto (PBB) për shpenzimet e mbrojtjes nga aleatët e NATO-s, Orban tha se të gjitha llogaritjet lidhur me rregullimet buxhetore të Bashkimit Evropian (BE) duhet të ndryshohen.
“Për sa kohë që ekzistojnë rregullat aktuale, askush në BE nuk mund të përmbushë 5 për qind, pavarësisht se çfarë thonë. Për këtë arsye ne duhet të rillogarisim gjithçka në një mënyrë tjetër. Në atë rast, ne mund ta bëjmë”, tha ai.
“Mendoj se Rusia nuk është aq e fortë sa të përbëjë kërcënim real për ne. Ne jemi shumë më të fortë se ata. NATO nuk ka punë në Ukrainë. Ukraina nuk është anëtare e NATO-s dhe as Rusia. Detyra ime është të sigurohem që kjo të mbetet kështu”, theksoi kryeministri hungarez, Orban.