Kryeministri britanik: Mos të mashtrojmë veten se COVID-19 është zhdukur

“Pjesa më e madhe e opinionit shkencor në këtë vend akoma është plotësisht e mendimit se do të ketë një valë tjetër të virusit COVID-19. Ne duhet, sa të jetë e mundur, të mësojmë të jetojmë me këtë sëmundje, ashtu si jetojmë me sëmundje të tjera”

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar “nuk mund të mashtrojë veten” se koronavirusi i ri (COVID-19) është zhdukur dhe ka theksuar se shkencëtarët po parashikojnë një valë të tretë më vonë këtë vit.

Në një konferencë për media, kryeministri Johnson tha se një task-forcë e re antivirale COVID-19 është krijuar për të zbuluar trajtime inovative në shtëpi këtë vjeshtë.

“Pjesa më e madhe e opinionit shkencor në këtë vend akoma është plotësisht e mendimit se do të ketë një valë tjetër të virusit COVID-19 në një fazë të këtij viti. Kështu që, ne duhet, sa të jetë e mundur, të mësojmë të jetojmë me këtë sëmundje, ashtu si jetojmë me sëmundje të tjera”, tha Johnson.

Në lidhje me task-forcën, duke marrë një shembull ai tha se kjo do të thotë “nëse rezultoni pozitiv mund të ketë një tabletë që mund ta merrni në shtëpi për të ndaluar virusin në gjurmët e tij dhe për të reduktuar ndjeshëm mundësinë e infektimit që të kthehet në sëmundje më të rëndë” ose “nëse jetoni me dikë që ka rezultuar pozitiv, mudn të ketë një tabletë që mund ta merrni për disa ditë për t’ju ndaluar që ta merrni vetë ju sëmundjet”.

Qeveria britanike synon të ketë të paktën dy trajtime efektive këtë vit që publiku mund t’i marrë në shtëpi apo në formë tabletash ose kapsulash.

Synimi përfundimtar është të frenohet çdo rritje e infeksioneve, veçanërisht gjatë sezonit të gripit dimëror, duke reduktuar transmetimin dhe duke rritur kohën e rimëkëmbjes.

Së fundmi, në Mbretërinë e Bashkuar u raportuan 2.524 raste të reja me COVID-19, duke e çuar në rreth 4.4 milionë numrin e përgjithshëm të rasteve të konfirmuara me këtë virus. Po ashtu numri i vdekjeve nga ky virus është rritur në 127.307, me 33 viktima të regjistruar së fundmi.

Në mbarë vendin deri më tani janë administruar rreth 43.1 milionë doza të vaksinës COVID-19, me mbi 10.2 milionë persona të vaksinuar me të dy dozat.

Kategoritë
BotaLajme