Pas disa ditësh që forcat speciale të policisë ruse në Jekaterinburg arrestuan një numër të madh shtetasish azerbajxhanas, sot në Baku u bllokua puna e mediave ruse si përgjigje.
Gjatë arrestimeve vdiqën dy persona, ndërsa më shumë se pesëdhjetë të tjerë u çuan në qeli. Ata akuzohen se morën pjesë në vrasjen e biznesmenit Yunis Pashayev në vitin 2001.
Të dyshuarit kryesorë në këtë çështje janë vëllezërit Husein dhe Zijadin Safarov, të cilët, pas arrestimit nga policia ruse, raportuan se ndiheshin keq dhe më pas humbën jetën.
Si masë proteste ndaj këtij veprimi të policisë ruse, Ministria e Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit ftoi ambasadorin rus për bisedime, ku i dorëzoi një notë proteste për sjelljen e forcave të sigurisë.
Nga ana tjetër, në Azerbajxhan u anuluan të gjitha ngjarjet kulturore ku pritej të merrnin pjesë organizata ruse, shtetërore apo private. Sot, si përgjigje ndaj aksionit të Jekaterinburgut, policia azerbajxhanase bastisi ambientet e mediave ruse në Baku.
Gjithashtu u anulua vizita e planifikuar e delegacionit parlamentar azerbajxhanas në Moskë, si reagim shtesë ndaj arrestimeve në Jekaterinburg.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, komentoi përkeqësimin e marrëdhënieve mes Bakusë dhe Moskës, duke bërë thirrje për normalizim dhe ndalim të përgjigjeve represive nga të dy palët:
“Ne shprehim keqardhje për vendimet e marra; është e nevojshme të vazhdojmë të sqarojmë arsyet dhe natyrën e ngjarjeve që, sipas palës azerbajxhanase, shërbyen si pretekst për këto masëdemarsha. Besojmë se gjithçka ka të bëjë me veprimtarinë e agjencive ligjzbatuese dhe nuk duhet të motivojë një reagim të tillë,” tha Peskov.
Ai shtoi se biseda telefonike mes presidentëve Vladimir Putin dhe Ilham Aliyev ende nuk është caktuar, por se, “nëse nevoja lind, kontaktet do të organizohen sa më shpejt të jetë e mundur.”