“Një kërcënim i tillë ekziston dhe ky informacion u përcoll nga ministri i Mbrojtjes tek homologët e tij. U takon atyre të besojnë apo jo”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Peskov
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se ekziston rreziku që Ukraina të përdorë “bombën e pistë” (bombë me përmbajtje radioaktive), transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë për gazetarët në Moskë, Peskov foli lidhur me SHBA-në, Francën dhe Britaninë të cilat hodhën poshtë pretendimin se Ukraina po përgatitet të përdorë “bombën e pistë” në territorin e saj.
“Mosbesimi ndaj informacioneve të përcjella nga Rusia, nuk e eliminon rrezikun për përdorimin e bombës së pistë. Një kërcënim i tillë ekziston dhe ky informacion u përcoll nga ministri i Mbrojtjes tek homologët e tij. U takon atyre të besojnë apo jo”, tha Peskov i cili shtoi se Rusia pretendimet e saj në fjalë ia ka përcjellë palëve përkatëse.
Ministri rus i Mbrojtjes, Sergey Shoygu në bisedat telefonike të zhvilluara dje me homologët e tij të Türkiyes, SHBA-së, Francës dhe Britanisë tha se “Ukraina po bën përgatitje për të përdorur ‘bombë të pistë'”.
Ministrat e Jashtëm të SHBA-së, Britanisë dhe Francës në një deklaratë të përbashkët pas bisedave, hodhën poshtë pretendimet e Rusisë dhe njoftuan se nuk do të pranojnë justifikimet që do të përdoren për të rritur tensionet.