Krasniqi: Kurti s’e kërkon kompromisin, por vetëm aktron

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi,  është deklaruar pas përfundimit të takimit të thirrur nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të diskutuar rrugëdaljen nga kriza parlamentare pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Krasniqi e cilësoi takimin si një “aktrim” nga ana e Kurtit, duke thënë se ai ishte i motivuar vetëm për të përmbushur formalisht një detyrim që Kushtetuesja ia ngarkon për konsultime në mirëbesim.

“Takimi që u ftua nga Kurti për të aktruar mbushjen e një obligimi që aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ia jep për konsultime në mirëbesim dhe përgjegjësinë për të gjetur kompromis, rezultoi i pasuksesshëm, sepse përkundër faktit se situata s’është e njëjtë, Kurti është i njëjtë. Mentaliteti imponues vazhdon të jetë për të më i rëndësishëm se sa gjetja e zgjidhjes dhe përfundimi i bllokadës”, deklaroi Krasniqi.

Takimi i liderëve u mbajt në kuadër të përpjekjeve për konstituimin e Kuvendit të ri, të cilin Kushtetuesja ka urdhëruar të realizohet brenda 30 ditësh nga aktgjykimi i fundit. Megjithatë, kriza politike mbetet e pazgjidhur.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi