Nga 99 deputetë të pranishëm në sallë, vetëm 50 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit, kundër dhe abstenime nuk pati.
Është shënuar edhe një përpjekje e dështuar, e 27-ta me radhë, për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.
Të gjitha grupet parlamentare të Kuvendit të Kosovës, përpos grupit më të madh parlamentar, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), nuk e mbështetën krijimin e një komisioni “ad-hoc” për votim të fshehtë të pozitës së kryeparlamentarit, duke mos propozuar anëtarin (deputetin) e tyre për këtë komision, të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Nga 99 deputetë të pranishëm në sallë, vetëm 50 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit, kundër dhe abstenime nuk pati.
“Nuk kemi kuorum, seanca ndërpritet, takohemi përsëri më 7 qershor në orën 11:00”, tha kryesuesi i seancës, Avni Dehari.
Partia e dytë më e madhe, Partia Demokratike të Kosovës (PDK), ka përsëritur se LVV-ja duhet ta ndërrojë kandidaten për kryetar të Kuvendit të Kosovës në mënyrë që ta mbështesin votimin e kryeparlamentarit. Por, nga deklarimet e tij mediatike deri më tani, kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se nuk bëhet fjalë për ndryshim të kandidates Albulena Haxhiu, duke fajësuar opozitën për bllokim të konstituimit të Kuvendit.
Nga 61 vota sa nevojiten minimalisht, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet. Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.
Më 15 maj, liderët e katër partive politike shqiptare parlamentare filluan takimet konsultative me presidenten Vjosa Osmani me qëllim të zhbllokimit dhe formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Takime të tilla u paralajmëruan nga presidentja Osmani edhe për javët në vijim, por nuk u mbajtën.