Kosovë, Misioni i EULEX-it publikon raport për monitorimin e lirimit me kusht

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu tha se shumica e vendimeve për lirim me kusht në Kosovë “refuzohen pa treguar arsyen”

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), ka prezantuar Raportin Monitorues “Aplikimi i lirimit me kusht në Kosovë: Gjetjet dhe Rekomandimet”, raporton Anadolu.

Në një konferencë ku morën pjesë krerë të institucioneve ndërkombëtare dhe vendore si dhe akterë relevant në sistemin e drejtësisë në vend, u bë e ditur se monitorimi i EULEX është bërë në periudhën nga marsi 2022 deri në shtator të vitit 2022.

Shef i Misionit të EULEX-it Lars-Gunnar Wigemark, tha se korniza ligjore e Kosovës është kryesisht në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Duke folur për raportin, Wigemark tha se ai përfshin gjetje dhe rekomandime specifike për autoritetet lidhur me aplikimin e lirimit me kusht nga gjashtë institucione korrektuese në tërë Kosovën.

“Lirimi me kusht synon të adresojë çështjet themelore që mund të kenë kontribuar në sjelljen kriminale. Ofron mbështetje, udhëzime dhe mbikëqyrje me qëllimin kryesor reduktimin e përsëritjes dhe duke u ri-integruar me sukses”, theksoi Wigemark.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se qëllim i tyre mbetet që të garantojnë sistem të besueshëm të drejtë dhe të pavarur dhe profesional.

Ajo tha se dënimi me burgim nuk duhet të jetë masa e vetme për sigurinë publike dhe parandalimin e krimit, sidomos kur është fjala për krimet që nuk kana rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Ministrja Haxhiu tha se në vizitat që ka bërë në qendrat korrektuese të vendit, një nga ankesat më të shpeshta kanë qenë vendimet e Panelit për lirim me kusht.

“Vendimet për lirim me kusht konsiderohet se janë vendime standarde, që nuk janë vendime individuale dhe që shumica e tyre refuzohen pa treguar arsyen se pse po refuzohen dhe kjo evidentohet edhe në raportin e sotëm të EULEX-it”, theksoi Haxhiu.

Tutje, ministrja tha se nëse një person i dënuar në Kosovë ka treguar sjellje të mire dhe ka pranuar përgjegjësinë ë tij, atëherë duhet të ekzistojë mundësia për lirimin me kusht për të, derisa theksoi se po punojnë “në përmirësimin e mekanizmave të lirimit me kusht dhe në përmbushjen e standardeve”.

EULEX gjatë periudhës së monitorimit mars-shtator 2022 ka monitoruar gjithsej 22 raste nga të cilat 13 të burgosurve u është aprovuar lirimi me kusht ndërsa 9 rasteve i është refuzuar.

Nga rekomandimet e EULEX-it për shërbimet korrektuese në Kosovë është theksuar edhe që përgjigjet për apo kundër lirimit me kusht duhet të bëhen të ditura me një arsyetim të qartë dhe individual.

Kategoritë
LajmeVendi