Kosovë, më 21 korrik hapet për herë të tretë Festivali i Filmit Evropian

Vedat Shehu, menaxher i ngjarjeve dhe fushatave në Shtëpinë e Evropës, tha se e veçanta e këtij edicioni është gara e filmit të shkurtë me aktorë vendas nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë

Nga 21 korriku deri më 30 korrik do të hapet për herë të tretë “Festivali i Filmit Evropian në Kosovë 2021”, nën organizimin e Shtëpisë së Evropës me mbështetje nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë dhe Cineuropa, e cila është një platformë evropiane për promovimin e ngjarjeve artistike, raporton Anadolu Agency (AA).

Vedat Shehu, menaxher i ngjarjeve dhe fushatave në Shtëpinë e Evropës, tha se e veçanta e këtij edicioni është gara e filmit të shkurtë me aktorë vendas nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, ku aplikimet në këtë garë kanë qenë të hapura nga 1 deri më 14 korrik.

“Hapja zyrtare e Filmit Evropian në Kosovë bëhet më 21 korrik. Do të bëhet shfaqja e filmave të shkurtër të cilët kanë hyrë në garë. Do të ketë tri shpërblime që do të ndahen: shpërblimi për filmin më të mirë; regjisorin më të mirë dhe aktorin/aktoren më të mirë. Në të njëjtën kohë më datë 21 përmes faqes tonë të Facebook-ut mund të përcillet edhe një film i repertuarit të filmave evropianë. Kurse më 22 korrik do të ketë shfaqje të filmave të shkurtër në Shtëpinë e Evropës në Mitrovicë të Veriut”, tha Shehu.

Përpos filmave që do të emetohen “online” dhe atyre në Mitrovicë të Veriut, në Shtëpinë e Evropës në Gjakovë më 23 korrik në kinema të hapur do të ketë një numër të filmave të përzgjedhur që do të emetohen.

Më vonë, më datat 26 dhe 27 korrik në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë qytetarët do të kenë mundësi të shohin katër filma të ndryshëm nga Gjermania, Austria dhe Brazili.

Driada Matoshi, aktore dhe pjesë e ekipit të festivalit tha se në jurinë e përzgjedhjes së filmave janë tre anëtarë, gjegjësisht regjisorja Lendita Zeqiri, producenti Shpat Deda dhe aktori Arlind Ismaili.

Mbyllja e festivalit do të bëhet në Kino Armata më 30 korrik, ku do të ndahen çmimet kryesore. Garuesve nuk u është caktuar ndonjë temë për filmat e shkurtër, por ato nuk duhet të jenë më të vjetër se tre vjet.

Kategoritë
LajmeVendi