Kosovë, hapet për herë të parë shkolla për mësimin e instrumentit të lahutës

Nxënësit që do të vijojnë mësimet në këtë shkollë janë të moshave të ndryshme, nga 7 deri në 70 vjeç.

Është hapur për herë të parë në Kosovë dhe Shqipëri shkolla për mësimin e instrumentit të lahutës nën organizimin e shoqatës joqeveritare “Shkabat” në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).

15 nxënës do të ndjekin mësimet mbi këtë instrumenti të vjetër kombëtar për një periudhë prej rreth 6 muajsh.

Shkolla do të bazohet në tri linja të mësimit të instrumentit muzikor: në teorinë mbi lahutën, legjendën e saj dhe tekstet e këngëve që luhen me lahutë; mësimi praktik i të luajturit me lahutë dhe pjesa ku nxënësit do të mësojnë të gdhendin (formojnë) një lahutë.

Studiuesi i folkloristikës, profesori Zymer Neziri, thotë se lahuta ka qenë instrument që është nderuar lartë tradicionalisht ndër shqiptarët. Ai thotë se përpos dasmave dhe vdekjeve lahutarët dhe lahuta kanë pasur nderim të veçantë edhe në rastet e hyrjes në luftë ku ka shërbyer si motivim për ushtarët.

“Lahuta është një traditë që duhet të mbijetojë në kohën e sotme të jetës elektronike. Duhet të mbijetojë për shumë arsye sepse pjesa e identitetit të etnokulturës shqiptare mbështetet edhe mbi këtë instrument. Domethënë, instrumenti paraqet një identitet kulturor të shqiptarëve, të traditës sonë ndër shekuj, nga periudha ilire e këndej. Dhe tjetra, është një traditë e cila nuk duhet të zhduket, por duhet t’i jepet mundësia që të mbijetojë”, theksoi Neziri.

Nxënësit që do të vijojnë mësimet në këtë shkollë janë të moshave të ndryshme, nga 7 deri në 70 vjeç.

Nxënësi më i vjetër i shkollës, 70-vjeçari me prejardhje nga rrethina e Malishevës, Imer Mleçani, thotë se dëshira është që ta mësojë lahutën në nivelin që babai i tij dikur i binte dhe këtë pret ta mësojë nga mësuesit si Isa Muriqi, një i moshuar i anës së Rugovës dhe ekzekutues tradicional me lahutë.

“Unë gjithmonë kam pasur dëshirë ta mësoj lahutën, por ne e lamë pas dore duke u marrë me vegla të tjera muzikore. Kur e marr tash lahutën më kujtohet së pari babai im dhe kam pasur dëshirë që të vij këtu dhe të mësoj t’i bie lahutës ashtu siç i ka rënë babai im”, theksoi Mleçani.

Ndërkohë, nxënësi më i ri në moshë që është bërë pjesë e kësaj shkolle, Arian Latifi (7), thotë se dëshira për të mësuar lahutën dhe jo ndonjë instrument tjetër i ka lindur për shkak se është një ndër instrumentet më të vjetra shqiptare.

“Unë e kam emrin Arian Latifi, kam dëshirë të bëhem i famshëm dhe më pëlqen lahuta. Lahutën e kam zgjedhur sepse është një nga veglat më të vjetra dhe të preferuara të shqiptarëve”, thotë ai.

15 nxënësit e lajmëruar për ta ndjekur këtë shkollë do të ndahen në tre grupe për shkak të respektimit të masave anti-COVID-19.

Kategoritë
KulturëLajmeVendi