Kongresistja republikane pretendon se Kennedy u vra për shkak të kundërshtimit ndaj programit bërthamor izraelit

Marjorie Taylor Greene, anëtare e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA (R-Georgia), ka shkaktuar reagime të shumta me një deklaratë në rrjetin X (ish-Twitter), ku sugjeroi se ish-presidenti amerikan John F. Kennedy u vra për shkak të kundërshtimit të tij ndaj programit bërthamor të Izraelit.

“Dikur ishte një president i madh që populli amerikan e donte. Ai iu kundërvu programit bërthamor të Izraelit. Dhe pastaj u vra,” shkroi Greene në mbrojtje të qëndrimit të saj kritik ndaj sulmeve ajrore të ndërmarra nga presidenti Donald Trump ndaj Iranit gjatë fundjavës.

Sipas dokumenteve të deklasifikuara të publikuara nga Arkivi i Sigurisë Kombëtare në vitin 2016, Kennedy në fillim të viteve ’60 e shihte programin bërthamor të Izraelit si një rrezik të madh për përhapjen e armëve dhe kërkonte që Izraeli të lejonte inspektime të rregullta ndërkombëtare.

Edhe pse Izraeli nuk e ka pranuar zyrtarisht se zotëron armë bërthamore, kjo konsiderohet një fakt i ditur gjerësisht në qarqet ndërkombëtare.

Pavarësisht komplot teorive që janë shfaqur që nga vrasja e Kennedy-t në vitin 1963, hetimet zyrtare nga FBI dhe Komisioni Warren përfunduan se Lee Harvey Oswald kishte vepruar i vetëm.

Postimi i Greene ishte përgjigje ndaj komentatorit konservator Mark Levin, i cili e quajti atë “budallaqe” për kundërshtimin e saj ndaj sulmeve ndaj objekteve bërthamore iraniane dhe i sugjeroi të “vazhdojë të godasë kokën në mur”.

Greene u përgjigj duke e quajtur tonin e Levin “të sëmurë dhe shqetësues” dhe duke e akuzuar për përdorim të një gjuhe të ngjashme me ata që i dërgojnë kërcënime me vdekje çdo ditë.

Në vazhdim të postimit të saj, Greene foli edhe për Jezuin dhe mësimet e tij, duke përmendur nevojën për të “u lutur për armiqtë”.

“A do të thotë kjo që tani jeta ime është në rrezik?” pyeti Greene, duke përmendur edhe kritikat që presidenti Trump i kishte bërë mëngjesin e së njëjtës dite Izraelit për vazhdimin e sulmeve ndaj Iranit.

Kjo nuk është hera e parë që Greene përhap teori konspirative të lidhura me Izraelin apo hebrenjtë. Në vitin 2018, ajo kishte sugjeruar në një postim në Facebook se disa zjarre në Kaliforni mund të ishin shkaktuar nga “rreze lazer nga hapësira” të financuara nga grupi financiar Rothschild.

Kategoritë
BotaLajme