Kolonët izraelitë tentuan t’u vinin flakën dy shtëpive dhe një xhamie, si dhe plagosën katër palestinezë në një seri sulmesh të kryera të dielën në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Ministria palestineze e Vakëfeve dhe Çështjeve Fetare njoftoi se kolonët izraelitë i vunë zjarrin një xhamie në Tuwana, në zonën Masafer Yatta, në jug të Hebronit, duke i shkaktuar objektit dëme të mëdha.
Duke iu referuar burimeve lokale, ministria tha se kolonët hynë në fshat dhe përdorën materiale ndezëse për të shkaktuar zjarr në xhami. Banorët dhe pjesëtarët e mbrojtjes civile nxituan për ta shuar zjarrin.
Sipas ministrisë, gjatë shuarjes së zjarrit pati përleshje me ushtarët izraelitë, të cilët u ofronin mbrojtje kolonëve.
Një dëshmitar tregoi se në njërën prej dhomave që kolonët tentuan ta digjnin ndodhej edhe një foshnjë vetëm 20-ditëshe.
Ministria e cilësoi sulmin ndaj xhamisë si “një akt të plotë terrorizmi”, duke vlerësuar se ai është pjesë e politikës izraelite që synon dëbimin e palestinezëve nga zona e Masafer Yattas.
Kryetari i komunës së Tuwanas, Muhammad Raba’i, deklaroi për agjencinë palestineze të lajmeve Wafa se kolonët izraelitë nga vendbanimi Havat Ma’on hynë në fshat dhe i vunë flakën xhamisë dhe dy shtëpive.
Në Nablus, katër palestinezë u plagosën gjatë një sulmi të kolonëve izraelitë në Beita, sipas burimeve lokale.
Në të njëjtën zonë, ushtria izraelite mbylli hyrjen perëndimore të fshatit Burqa me barrikada dheu, bastisi disa shtëpi dhe ndaloi disa palestinezë për t’i marrë në pyetje në terren.
Në Jenin, ushtria izraelite arrestoi dy të rinj pasi kontrolloi shtëpitë e tyre në Qabatiya. Tre palestinezë të tjerë u ndaluan në fshatin Al-Mughayyir, në lindje të Ramallahut, ndërsa një person u arrestua në Betlehem.
Në të njëjtën kohë, kolonët lëshuan bagëtitë në tokat në pronësi të palestinezëve, në lindje të fshatit Rammun, në zonën e Ramallahut, sipas burimeve lokale dhe dëshmitarëve.
Ushtria dhe kolonët izraelitë i kanë intensifikuar sulmet në Bregun Perëndimor të pushtuar që nga fillimi i luftës në Gaza, në tetor të vitit 2023. Sipas të dhënave zyrtare palestineze, janë vrarë të paktën 1.181 palestinezë, rreth 13.000 janë plagosur, ndërsa pothuajse 24.000 persona janë arrestuar.










