Ministria e Tregtisë e Kinës deklaroi se eksporti i materialeve me përdorime të dyfishta, ushtarake dhe civile, tani është i ndaluar për prodhuesit amerikanë
Kina ka njoftuar kufizime të eksportit për mineralet kritike në SHBA, duke kundërshtuar masat e fundit të Washingtonit që kanë në shënjestër industrinë kineze të çipave, transmeton Anadolu.
Ministria e Tregtisë e Kinës deklaroi se eksporti i materialeve me përdorime të dyfishta, ushtarake dhe civile, tani është i ndaluar për prodhuesit amerikanë. Në këto materiale mes tjerash bëjnë pjesë galiumi, germaniumi, antimoni dhe materialet super të forta.
Eksportet e grafitit, i cili është thelbësor për bateritë dhe industrinë e hapësirës ajrore, do të përballen gjithashtu me kontrolle të rrepta.
Kina justifikohet se masat janë në përputhje me ligjet e saj të kontrollit të eksporteve, duke pohuar se ato synojnë të ruajnë sigurinë kombëtare dhe të respektojnë detyrimet ndërkombëtare.
Si prodhuesi më i madh në botë i metaleve të rralla, duke përbërë 70 për qind të prodhimit global dhe 85 për qind të përpunimit, veprimi i Kinës mund të ndikojë ndjeshëm në zinxhirët e furnizimit.
Një raport i Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së paralajmëroi se kufizimi i eksporteve të galiumit dhe germaniumit mund t’i kushtojë ekonomisë amerikane 3.4 miliardë dollarë.
Qeveria kineze kishte njoftuar tashmë në gusht 2023 se eksportet e galiumit dhe germaniumit do të kufizoheshin.
– Përgjigje ndaj kufizimeve lidhur me çipat
Veprimi i Kinës është një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj kufizimeve të SHBA-së që vënë në shënjestër industrinë kineze të prodhimit të çipave.
Departamenti i Tregtisë i SHBA-së së fundmi zgjeroi kontrollet e tij të eksportit, duke ndaluar shitjen e 24 llojeve të pajisjeve të prodhimit të çipave dhe tre kategorive të softuerëve thelbësorë për prodhimin e gjysmëpërçuesve.
Sekretarja e Tregtisë e SHBA-së, Gina Raimondo, deklaroi se masat synojnë të frenojnë përparimet ushtarake të Kinës në teknologjitë e fundit.
Pekini ka dënuar veprimet e SHBA-së, duke akuzuar Washingtonin për përdorimin e kontrolleve të eksportit për të shtypur industritë kineze.
Administrata amerikane i ka dhënë përparësi parandalimit të transferimit të teknologjive kritike në Kinë, duke kufizuar qasjen e prodhuesve kinezë në teknologjitë e avancuara të gjysmëpërçuesve.
Në gusht 2023, Biden lëshoi një urdhër ekzekutiv që kufizonte kompanitë amerikane të investonin në sektorë kritikë të teknologjisë në Kinë, duke përfshirë inteligjencën artificiale, llogaritjen kuantike dhe mikroelektronikën.