Kina kërcënon sërish Tajvanin: Herët a vonë do të vijmë për ju, ndalimi i baticës me një fshesë është vetëshkatërrim

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Kinës, Wu Qian, i dërgoi një mesazh Tajvanit duke paralajmëruar se do të vijmë për ju, herët a vonë, pasi Tajvani njoftoi zgjerimin e stërvitjeve të tij ushtarake.

Ky kërcënim u bë gjatë një konference për shtyp të mbajtur dje, por ka tërhequr vëmendjen në Kinë, pasi përmban një mesazh identik me atë të filmit të animuar për fëmijë “Ne Zha 2”.

Gazetarët e pyetën Wu-n për raportet se Tajvani do të zgjerojë stërvitjet e tij ushtarake këtë vit. Këto stërvitje zhvillohen si përgatitje për një sulm të mundshëm nga Kina, e cila vazhdon të flasë për aneksimin e Tajvanit.

“Kjo është një vlerësim jashtëzakonisht i gabuar i situatës, opinionit publik dhe krahasimit të forcave. Ta mbivlerësosh veten në këtë mënyrë është jashtëzakonisht e rrezikshme. Paralajmërojmë Partinë Demokratike Progresive (DPP) në pushtet se përpjekja për të ndaluar baticën me një fshesë do të çojë në vetëshkatërrim. Do të vijmë për ju, herët a vonë”, deklaroi Wu.

Pas kësaj deklarate, përdoruesit e rrjeteve sociale në Kinë e lidhën atë me filmin e përmendur të animuar, i cili është shumë i njohur. “Ne Zha 2” është një film për një djalë të vogël që lufton demonët, një histori e bazuar në mitologjinë kineze. Në një nga skenat e filmit, djali i thotë një murmotre: “Do të vij për ty”.

Ky është një nga filmat më të suksesshëm kinezë në botë, duke gjeneruar të ardhura të mëdha. Popullariteti i tij gjithashtu nxiti ndjenja patriotike në Kinë. Megjithatë, nuk është shfaqur në Tajvan.

Në përgjigje të deklaratës së zëdhënësit të Ministrisë së Mbrojtjes së Kinës, Tajvani e akuzoi Kinën si problemin më të madh të komunitetit ndërkombëtar.

“Këtë vit shënohet 80-vjetori i përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, dhe historia ka treguar se çdo formë agresioni dhe ekspansioni përfundon me dështim. Veprimet e ushtrisë komuniste vitet e fundit janë një gabim i përsëritur i pushtuesve dhe po e çojnë Kinën drejt disfatës”, deklaruan autoritetet në Taipei.

Pekini vazhdon të modernizojë ushtrinë e tij, dhe disa analistë besojnë se ky proces ka për qëllim përgatitjen për një pushtim të plotë të Tajvanit. Javën e kaluar, ndryshimet në rregullore theksuan se detyra kryesore e ushtrisë është “fitimi i betejave” dhe “fokusi në gatishmërinë për luftë”.

Nga ana tjetër, Tajvani po forcon mbrojtjen e tij, por forcat e tij ushtarake nuk mund të krahasohen me ato të Kinës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë një nga aleatët më të mëdhenj të Tajvanit, por kjo mbështetje është vënë në pikëpyetje që kur Donald Trump ka filluar mandatin e tij të dytë si president i SHBA-së, shkruan The Guardian.

Kategoritë
BotaLajme