Në sytë e rusëve, për dekada me radhë, Shtetet e Bashkuara kanë qenë simboli i armiqësisë ndaj Rusisë. Por sipas një ankete të fundit të realizuar nga instituti i pavarur rus për sondazhe “Levada”, Gjermania tani renditet si shteti më armiqësor ndaj Rusisë. Pas saj vijnë Britania e Madhe dhe Ukraina.
Sipas rezultateve të publikuara nga agjencia DPA, 55% e të anketuarve kanë përmendur Gjermaninë si vendin më armiqësor – një rritje e madhe krahasuar me vetëm 15% në maj 2020. Ndërkaq, vetëm 40% e rusëve e shohin sot SHBA-në si armik, ndërsa vitin e kaluar kjo përqindje ishte 76%.
Çfarë ndikoi në ndryshim?
Sipas ekspertëve, kjo rënie e perceptimit negativ ndaj SHBA-së lidhet me përmirësimin e marrëdhënieve gjatë kohës së ish-presidentit Donald Trump, i cili njihet për një qëndrim më pak konfrontues ndaj Rusisë.
Ndërkohë, Gjermania, për shkak të mbështetjes së saj ushtarake ndaj Ukrainës, ka hyrë në fokusin e kritikave të ashpra nga Kremlini. Situata është përkeqësuar sidomos pas ardhjes në pushtet të kancelarit Friedrich Merz, i cili përfaqëson një linjë më të ashpër ndaj Moskës.
Vendet më miqësore sipas rusëve
Në të njëjtën anketë, rusët janë pyetur edhe për vendet me të cilat Rusia ka marrëdhënie më të mira:
- Bjellorusia (80%)
- Kina (66%)
- Kazakistani (36%)
- India (32%)
- Koreja e Veriut (30%)