Në kohën kur çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare po pësojnë rritje si pasojë e konfliktit mes Iranit dhe Izraelit, është prekur edhe Kosova me shtrenjtimin e derivateve.
Aktualisht, çmimi për një litër naftë në tregun e Kosovës varion nga 1.25 euro deri 1.35 euro, raporton KosovaPress.
Këto çmime po variojnë nga pompa në pompë në gjithë vendin.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani ka theksuar më parë se tensionet e fundit mes Izraelit dhe Iranit kanë shkaktuar lëkundje të ndjeshme në tregjet ndërkombëtare të naftës, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve. Sipas Berjanit, përshkallëzimi i situatës në Lindjen e Mesme po ngjall frikë për ndërprerje të furnizimit global me naftë.
Ndërkohë, deputeti i LDK-së, Besian Mustafa ka thënë se Kosova është në prag të një rritje enorme të çmimeve të derivateve nga disa tregtarë që janë të lidhur ngushtë me LVV-në.
“Duket se jemi në prag të një rritje enorme të çmimeve të naftës të keqpërdorura nga disa tregtarë të naftës të ngushtë me partinë në pushtet”, ka thënë Mustafa.
Në kohën kur çmimet e naftës po shënojnë ngritje në tregjet ndërkombëtare si pasojë e konfliktit mes Iranit dhe Izraelit, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka deklaruar ditë më parë se Kosova është më e mbrojtur sa i përket sektorit të naftës, por jo edhe për produkte të tjera esenciale.
Megjithatë, sipas saj, Kosova nuk mund të ndikojë në çmimin furnizues të naftës që hyn në treg përmes importit, pasi çmimi referues përcaktohet në Doganën e Kosovës.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i bëri thirrje Kinës që të parandalojë Iranin nga mbyllja e ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit detar në botë, sipas BBC.
Komentet e tij erdhën pasi televizioni shtetëror iranian Press TV raportoi se parlamenti kishte miratuar një plan për mbylljen e ngushticës, por shtoi se vendimi përfundimtar i përket Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare. Çdo ndërprerje në furnizimin me naftë do të kishte pasoja të thella për ekonominë.
Rreth 20 për qind e naftës botërore kalon përmes ngushticës së Hormuzit, ndërsa prodhuesit kryesorë të naftës dhe gazit në Lindjen e Mesme përdorin këtë rrugë për të transportuar energjinë nga rajoni. Çdo përpjekje për të ndërprerë operacionet në ngushticë mund të çojë në rritje të çmimeve globale të naftës. Çmimet e naftës u rritën shpejt kur nisi tregtimi të hënën, me Brent që u ngjit në 81.40 dollarë për fuçi. Megjithatë, më pas ra përsëri në rreth 78 dollarë, duke u rritur 1.4 për qind në ditë.