Forcat ukrainase nuk kanë arritur të përballojnë sulmin që forcat ruse e ndërmorën disa ditë më parë në ofensivën drejt qytetit Sumi në veri të vendit, gjë që ka vënë në rrezik sigurinë e këtij qyteti strategjik.
Komanda ushtarake në Kremlin ka vendosur të ruajë iniciativën në ofensivën e nisur së fundmi duke dërguar forca të reja dhe të freskëta në drejtim të Sumit. Në këtë aks janë dislokuar dy brigada të këmbësorisë detare – e 40-ta dhe e 177-ta.
Këtyre forcave u janë bashkuar edhe dy regjimente të mbrojtjes territoriale të Federatës Ruse, të cilat po veprojnë në bashkëpunim me brigadën e 155-të të këmbësorisë detare.
Me përforcimet e reja, ushtria ruse po rrit presionin ndaj forcave ukrainase në fshatrat Varaçine dhe Mala Korçajivka, ku janë vendosur vijat e mbrojtjes ukrainase.
Forcat ruse kishin nën kontroll disa fshatra në këtë rajon edhe para ofensivës, por aktualisht territori nën kontrollin e tyre ka tejkaluar sipërfaqen prej 185 kilometrash katrorë.
Dislokimi i njësive të këmbësorisë detare në këtë drejtim tregon se Rusia po zhvendos peshën kryesore të ofensivës në këtë sektor të frontit, çka nënkupton se ka plane më të gjera për këtë zonë.
Ndërkohë, forcat ukrainase janë të shpërndara në një front të gjerë në Donbas dhe Zaporizhja, gjë që e bën edhe më të vështirë mbrojtjen e Sumit. Vlerësimet aktuale tregojnë se trupat ruse ndodhen rreth 25 kilometra larg qytetit.