Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Katar u ka dërguar një e-mail qytetarëve amerikanë duke u rekomanduar që të qëndrojnë në strehimore deri në një njoftim të dytë. Pas këtij paralajmërimi, ka reaguar edhe qeveria e Katarit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Katarit, Majed Al Ansar, deklaroi se situata e sigurisë në vend është stabile.
“Në deklaratën e ambasadës nuk përmendet ndonjë kërcënim konkret,” tha Al Ansar.
Ai theksoi gjithashtu se paralajmërime të tilla nuk do të thonë domosdoshmërisht se ekziston një kërcënim i drejtpërdrejtë ose i besueshëm.
“Publiku do të njoftohet për çdo zhvillim që mund të kërkojë ndërhyrje ose informacion zyrtar, dhe theksojmë rëndësinë e marrjes së informatave nga burimet zyrtare,” shtoi ai.
Al Ansar siguroi se autoritetet janë të gatshme të ndërmarrin çdo masë të nevojshme për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe banorëve të Katarit.
Ky reagim pason paralajmërimin e ambasadës amerikane që vjen në kontekstin e kërcënimeve në rritje nga Irani për t’iu përgjigjur sulmeve amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane gjatë fundjavës.
Kujtojmë se në Katar ndodhet baza ajrore al-Udeid, një nga pikat komanduese të Komandës Qendrore të ushtrisë amerikane (CENTCOM), ku janë të stacionuar mbi 10.000 ushtarë amerikanë.
Në kuadër të masave parandaluese, gjatë ditëve të fundit, nga kjo bazë është tërhequr pjesa më e madhe e flotës ajrore, duke konfirmuar më tej shqetësimet për një sulm të mundshëm iranian ndaj instalimeve ushtarake amerikane.