Katar mbyll hapësirën ajrore pas kërcënimeve: Paralajmërime edhe nga një shtet tjetër

Katar ka njoftuar se ka mbyllur përkohësisht hapësirën e tij ajrore si pjesë e masave të marra për shkak të zhvillimeve të fundit në rajon.

Këtë e bëri të ditur Ministria e Punëve të Jashtme të Katarit përmes rrjetit social X (ish-Twitter), duke deklaruar se ky hap është ndërmarrë për “të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe vizitorëve”.

Ky vendim vjen pas kërcënimeve të përsëritura të Iranit për hakmarrje ndaj Shteteve të Bashkuara pas sulmeve ndaj objekteve të tij bërthamore gjatë fundjavës.

Ambasada amerikane në Katar kishte lëshuar më herët një njoftim duke i këshilluar qytetarët amerikanë që të “qëndrojnë në strehimore deri në një njoftim të dytë”.

Në të njëjtën kohë, edhe qeveria britanike iu bashkua paralajmërimeve, duke shpërndarë mesazhe për punonjës dhe studentë të institucioneve britanike që operojnë në Doha.

Situata, sipas Katarit, mbetet e qëndrueshme.

Në paralajmërimet e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe theksohet se këshillat janë dhënë “për arsye sigurie dhe nga kujdesi”, pa dhënë informacione shtesë.

Dy zyrtarë amerikanë kanë thënë për Reuters se Irani mund të kryejë së shpejti sulme ndaj forcave amerikane në Lindjen e Mesme, ndërsa një burim tjetër ka deklaruar se kjo mund të ndodhë brenda një apo dy ditësh.

Duke komentuar këto paralajmërime, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed Al Ansari, tha se situata e sigurisë në vend mbetet stabile dhe se njoftimi i ambasadës nuk tregon për ndonjë kërcënim konkret.

Ai theksoi se Katari është i gatshëm të ndërmarrë çdo masë të nevojshme për të siguruar sigurinë e qytetarëve dhe banorëve të tij.

Kujtojmë se në Katar ndodhet baza ajrore Al-Udeid – baza më e madhe ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme – që shërben si seli e përparuar e Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM) dhe strehon rreth 10.000 ushtarë amerikanë.

Kategoritë
BotaLajme