“Tarifat e Kanadasë do të mbeten në fuqi derisa SHBA-ja të tërheqë veprimet e saj tregtare”, tha kreyministri kanadez, Trudeau
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau tha se Kanadaja duke filluar nga sot do të zbatojë tarifën prej 25 për qind ndaj produkteve të importuara nga SHBA-ja, transmeton Anadolu.
Trudeau i dha përgjigje deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump se tarifat për importet nga Kanadaja dhe Meksika do të fillonin sot.
“Kanadaja nuk do të lejojë që ky vendim i padrejtë të mbetet pa përgjigje. Nëse tarifat amerikane hyjnë në fuqi edhe Kanadaja do të përgjigjet me tarifën doganore prej 25 për qind e cila do jetë e vlefshme që nga sot”, tha Trudeau.
Ai theksoi se tarifat e Kanadasë do të mbeten në fuqi derisa SHBA-ja të tërheqë veprimet e saj tregtare. “Ne jemi në diskutime aktive dhe të vazhdueshme me shtetet dhe rajonet për të ndjekur masa të ndryshme jo-tarifore nëse tarifat e SHBA-së nuk përfundojnë”, tha Trudeau.
Presidenti amerikan Trump dje njoftoi se tarifa doganore prej 25 për qind për produktet e importuara nga Kanadaja dhe Meksika do të nisë sot.