Kanadaja është bërë vëzhguesja e parë në një program për ndërtimin e avionëve luftarakë “stealth” të gjeneratës së ardhshme deri në vitin 2035, sipas një raporti të mediave kanadeze, transmeton Anadolu.
Kreu i Forcave Ajrore Mbretërore Kanadeze i tha CBC News se Otava mund të marrë pjesë në bisedime të klasifikuara për rolin që mund të luajë në Programin Global të Luftimit Ajror (Global Combat Air Program) – një projekt i udhëhequr nga Italia, Japonia dhe Britania e Madhe për ndërtimin e një avioni luftarak të avancuar stealth të gjeneratës së gjashtë deri në vitin 2035.
“Unë mendoj se është shumë e mundshme të imagjinohet një botë ku Kanadaja kontribuon dhe më pas përfundimisht do ta përdorte këtë avion në të ardhmen”, tha gjenerallejtnantja kanadeze Jamie Speiser-Blanchet.
Ministri kanadez i Mbrojtjes, David McGuinty, tha se Kanadaja po ndjek një qasje “hap pas hapi” dhe nuk është zotuar për blerjen e avionit.
Pjesëmarrja e Kanadasë përputhet me përpjekjen e kryeministrit Mark Carney për të zvogëluar varësinë nga lidhjet e mbrojtjes me SHBA-në duke zgjeruar partneritetet ushtarake.
Njoftimi u bë në Panairin Ndërkombëtar Ajror të Farnborough në Britani të Madhe, së bashku me zyrtarë nga Britania e Madhe, Italia dhe Japonia.
Speiser-Blanchet tha se avioni i gjeneratës së gjashtë mund të plotësojë flotën e ardhshme luftarake të Kanadasë.
“Personalisht, mendoj se kjo do të ishte një hap i mirë për Kanadanë, sepse ne do të duam të jemi pjesë e përpjekjeve të aleatëve, duke punuar me partnerët tanë për të qenë relevantë dhe të aftë për t’iu përgjigjur kërcënimeve të ardhshme”, tha ajo.













