Jordania është e gatshme t’i shpallë luftë Izraelit nëse kryeministri Benjamin Netanyahu përpiqet të dëbojë me forcë palestinezët në territorin jordanez, raporton Middle East Eye.
Këto paralajmërime vijnë pas deklaratave të përsëritura të presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka thënë se do të dëshironte që Jordania dhe Egjipti të pranonin palestinezët si pjesë e një plani për “pastrimin” e Rripit të Gazës.
Burime nga Ammani dhe Jeruzalemi thonë se “gjëja e fundit që Jordania dëshiron është lufta” dhe se vendi është i gatshëm për një zgjidhje paqësore. Megjithatë, ata janë të vendosur të mbyllin kufirin nëse refugjatët palestinezë fillojnë të hyjnë në vend.
Nëse izraelitët përpiqen ta rihapin kufirin me forcë, kjo do të ishte një “shkak për luftë,” tha një burim.
Jordania “nuk ka iluzione se mund të fitojë një luftë” me Izraelin, por beson se nuk do të ketë zgjidhje tjetër veçse të luftojë.
Jordania më parë ka dërguar batalione shtesë në kufijtë e saj perëndimorë, pas një deklarate të qartë nga Ammani se çdo përpjekje për të detyruar dërgimin e palestinezëve përtej kufirit do të konsiderohej si një shkelje e rëndë e marrëveshjes së paqes me Izraelin të vitit 1994.
Izraeli u përgjigj duke krijuar një divizion të ri lindor për ruajtjen e kufirit me Jordaninë.
Një burim tha se propozimi i Trumpit është “një çështje ekzistenciale” si për Jordaninë, ashtu edhe për dinastinë Hashemite, duke theksuar se Jordania është vendi i tretë më i varfër në botë për burimet ujore.
Popullsia prej 12 milionë banorësh në Jordani jeton kryesisht në një brez të ngushtë toke përgjatë kufirit me Izraelin, pranë lumit Jordan, dhe “thjesht nuk do të mund të pranonin kaq shumë refugjatë,” shkruan Middle East Eye.