Ish-gjyqtari i njohur i UEFA-s dhe FIFA-s, David Coote, i cili u përjashtua nga futbolli në nëntor pas një sërë skandalesh, sot punon si shpërndarës porosive në Angli dhe përballet me kërcënime serioze për jetën.
Një çift britanik mbeti i habitur kur në derën e tyre doli pikërisht gjyqtari që një vit më parë arbitronte në Kampionatin Evropian dhe Premier Ligën. 42-vjeçari u detyrua të ndryshojë jetën rrënjësisht pas ngjarjeve që tronditën botën e sportit.
Skandali i paprecedentë
Coote u pezullua për 16 muaj, pasi u publikua një video ku shihet duke ofenduar trajnerin e atëhershëm të Liverpoolit, Jurgen Klopp, ndërsa një tjetër video e regjistruar një ditë pas një ndeshjeje të Euro 2024 e tregon atë duke konsumuar kokainë. Si pasojë, u përjashtua nga të gjitha aktivitetet futbollistike.
“Dua të vazhdoj jetën time. Po përpiqem të ec përpara dhe të rifitoj ndjenjën e përgjegjësisë dhe qëllimit. Puna më mban i zënë, por kjo nuk është karriera ime afatgjatë,” – tha Coote për mediat britanike.
Ai sot punon si shpërndarës për një kompani në afërsi të shtëpisë së tij në Newark. Ironikisht, një nga klientët që mori paketën prej tij ishte një tifoz i Liverpoolit, i cili ende i mban inat për fyerjet ndaj Kloppit.
Zbulimi i tij pas skandalit
Pas shkarkimit, Coote pranoi publikisht se është homoseksual, duke shtuar se kishte përdorur kokainën si mënyrë për të “ikur nga realiteti”.
Shoqata e Gjyqtarëve të Premier Ligës e përjashtoi përgjithmonë në dhjetor, dhe UEFA konfirmoi pezullimin e tij për 16 muaj.
Përballet me kërcënime për vdekje
Pas shpërthimit të skandaleve, Coote ka marrë kërcënime të shumta për vdekje, disa prej të cilave janë drejtuar edhe ndaj nënës së tij të ndjerë. Ai ka zbuluar se në shtëpinë e tij është instaluar një alarm për reagim të shpejtë policor, për të siguruar ndihmë në rast rreziku.
Sot, ai përpiqet të rindërtojë jetën larg vëmendjes së opinionit, ndërsa mbetet një nga shembujt më dramatikë të rënies nga maja e futbollit në realitetin e vështirë të jetës së përditshme.