Izraeli zyrtarisht merr përgjegjësinë për vrasjen e zëvendëskreut të Hamasit në Liban

Saleh al-Arouri u vra në një sulm ajror në të cilin u shënjestrua një apartament në periferinë jugore të Bejrutit në janar të këtij viti

Izraeli sot zyrtarisht mori përgjegjësinë për vrasjen e ish-zëvendësshefit të Hamasit, Saleh al-Arouri, në Liban, transmeton Anadolu.

Arouri u vra në një sulm ajror në të cilin u shënjestrua një apartament në periferinë jugore të Bejrutit në janar të këtij viti.

“Shërbimi i sigurisë së brendshme Shin Bet ka marrë zyrtarisht përgjegjësinë për vrasjen e Arourit në Liban”, tha transmetuesi publik izraelit KAN.

Një armëpushim i brishtë është vendosur midis Izraelit dhe Libanit që nga 27 nëntori për t’i dhënë fund luftimeve 14 mujore midis ushtrisë izraelite dhe grupit Hezbollah që nisi për shkak të luftës gjenocidale të Tel Avivit në Gaza, ku janë vrarë rreth 45.500 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, që nga 7 tetori 2023.

Sipas kushteve të armëpushimit, Izraelit i kërkohet të tërheqë në faza forcat e tij në jug të Linjës së Kaltër, kufiri de fakto midis dy shteteve, ndërsa ushtria libaneze do të vendoset në Libanin jugor brenda 60 ditëve.

Të dhënat nga Ministria libaneze e Shëndetësisë tregojnë se që kur sulmet e Izraelit kundër Libanit filluan më 8 tetor 2023, janë vrarë të paktën 4.063 persona, duke përfshirë gra, fëmijë dhe punonjës shëndetësorë, ndërsa 16.663 të tjerë janë plagosur.

Kategoritë
BotaLajme