Ushtria pretendon se ka vrarë Mohammad Mahdi Ali Shaheenin, për të cilin tha se ishte përgjegjës për operacionet e prokurimit të armëve përgjatë kufirit Siri-Liban
Ushtria izraelite pretendon të ketë vrarë Mohammad Mahdi Ali Shaheenin, një nga drejtuesit e Hezbollahut, në një sulm ajror të enjten në rajonin lindor libanez Hermel, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, ushtria izraelite tha se sulmi ajror kishte në shënjestër Luginën Bekaa.
“Shaheen, një figurë kyç e Hezbollahut, ishte i përfshirë në mbikëqyrjen e operacioneve të prokurimit të armëve përgjatë kufirit Siri-Liban që nga zbatimi i marrëveshjeve të armëpushimit midis Izraelit dhe Libanit”, pretendoi ushtria.
Nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm nga Hezbollahu apo qeveria libaneze mbi deklaratën e ushtrisë izraelite.
Megjithatë, agjencia zyrtare libaneze e lajmeve konfirmoi të enjten se “një sulm ajror izraelit në Hermel rezultoi në vrasjen e dy individëve”, pa dhënë më shumë detaje.
Sulmi erdhi në shkelje të marrëveshjes së armëpushimit që ka qenë në fuqi që nga nëntori i kaluar, duke i dhënë fund luftës ndërkufitare disamujore midis Izraelit dhe Hezbollahut që u përshkallëzua në një konflikt në shkallë të plotë shtatorin e kaluar.